Pas Bërnjakut, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është mbyllur edhe pikë kalimi kufitar në Merdarë.

Njoftimi i mbylljes së kësaj pike kufitare vjen pas më shumë se një ore kur i njëjti ministër njoftoi që është mbyllur pika kufitare në Bërnjak.

Mbyllja e këtyre dy pikave kufitare erdhi si shkak i protestave të qytetarëve serbë në territorin e Serbisë.

“Pas veprimeve të njejta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë” – ka shkruar ministri Sveçla në Facebook, më 06.09.2024.

Sipas ministrit Sveçla, mbyllja e pikave kufitare në Bërnjak e Jarinjë u bë për shkak të sigurisë e mbrojtjes së qytetarëve.

“Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës” – ka thënë Sveçla.

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës ishte paralajmëruar ditë më parë nga disa organizata në Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u pati bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Javën e kaluar, Qeveria mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre dhe kanë kërkuar kthimin në vendet e punës.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në pikën kufitare në Jarinjë dhe atë në Bërnjak, për të vrojtuar situatën në të dy këto pika kufitare. Të gjitha raportimet për zhvillimet në këto pika kufitare mund t’i lexoni në këtë LINK.