Foto: KALLXO.com

Pas ankesës së kandidates së LVV-së, urdhërohet rinumërim në një vendvotim në Gjilan

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka nisur të bëjë publikimin e vendimeve lidhur me apelet që i janë bërë nga subjektet politike dhe kandidatet pas shpalljes se rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Njëri vendi ka të bëjë me ankesën e kandidates për deputete të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni.

PZAP e ka vlerësuar si të bazuar këtë ankesë dhe ka marrë vendim që në vendvotimin me numër 0402X/01R në Gjilan të rinumërohen vetëm fletëvotimet për kandidatët për deputetë nga lista e LVV-së.

Në PZAP brenda 24 orëve, janë dorëzuar 208 ankesa. Ky institucion ka gjithsej tri ditë që të shqyrtojë e vendos për çështjet e ngritura.

Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së, atëherë ato mund t`i drejtohen edhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka kohë 72 orë për shqyrtimin e tyre.

Me përfundimin e procesit ankimor, KQZ-ja obligohet që t`i zbatojë të gjitha vendimet e dala, e tek më pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve.