Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas ankesës së BIRN/IK, LDK dënohet me 2,500 euro gjobë nga PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova ka gjobitur me 2 mijë e 500 euro Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkelje gjatë fushatës zgjedhore.

Kjo pasi dega e LDK-së në Lipjan kishte ekspozuar persona nën moshën 15-vjeçare me qëllim të përfitimit elektoral dhe duke kontribuar në thyerjen e heshtjes zgjedhore.

Sipas arsyetimit të ankesës, kandidati i LDK-së për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti më 17 tetor, ditën e zgjedhjeve, kishte publikuar një fotografi në rrjetin social, Instagram  në të cilën shihet një i mitur i veshur me rroba me përmbjajtje me material të subjektit politik.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK seli në Lipjan , i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 2,500.00 ( dymijë e pesëqind euro , për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike , Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët , me rastin e promovimit të subjektit politik dhe kandidatit duke përdorur ekspozuar , personat nën moshën 15 vjeçare , me qëllim të përftimit elektoral , në fushatë zgjedhore dhe ne thyerjen e heshtjes zgjedhore , në Zgjedhjet Lokale 2021 , të mbajtura me datë 17.10.2021”, thuhet në njoftim.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka afat prej 15 ditësh të paguajë këtë gjobë.