Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas ankesës së BIRN dhe IKS, PDK në Drenas dënohet me 300 euro nga PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova ka gjobitur me 300 euro Partinë Demokratike të Kosovës, dega në Drenas për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Kjo pasi ky subjekt politik përmes opsionit “sponsored” ka lënë në qarkullim edhe gjatë ditës së zgjedhjeve, më 14 nëntor, një postim që reklamon Ramiz Lladrovicin, kandidatin për kryetar në Komunën e Drenasit si dhe kabinetin e tij.

“Subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës, me seli në Prishtinë, dega në Drenas i shqiptohet dënim me gjobë në lartësi prej 300 euro [..], me rastin e thyerjes së heshtjes zgjedhore përmes rrjeteve sociale”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

Tutje, të njëjtit njoftuan se PDK, dega në Drenas detyrohet që gjobën e shqiptuar ta paguajë në një afat prej 15 ditësh.