Foto: KALLXO.com

Pas alarmit për mjet shpërthyes, lirohet për qarkullim Stacioni i Autobusëve

Pas alarmit për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, hapësirat e tij janë liruar për qarkullimin e qytetarëve.

KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të kuptuar në lidhje me kontrollet që i kanë bërë në atë zonë dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Foto: KALLXO.com

Njësitet e Policisë kanë qëndruar në hapësirat e stacionit, duke kryer kontrolle përfshirë edhe në objektet tjera përreth dhe me njësinë K9 të qenve.

Fillimisht Policia e Kosovës ka thënë që sot rreth orës 15:00, kanë pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë.

“Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës. Informata është trajtuar nga ana e policisë”, thuhej në konfirmimin e Policisë për KALLXO.com.