Ilustrim

Pas aktakuzës, flet ish-ministrja Dhurata Hoxha

Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritë aktakuzë ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me të po akuzohen edhe ish sekretari i Ministrisë Kushtrim Cukaj dhe zyrtarët e F. M., D. Sh., N. O.

Në një prononcim për KALLXO.com, Hoxha ka thënë se nuk ndihet fajtore dhe se nuk është njoftuar për ngritjen e aktakuzës.

“Nuk jam në dijeni, nuk jam e njoftuar. Nuk ndihem e fajshme për asgjë, nuk kam njohuri njëherë”, tha shkurtimisht Dhurata Hoxha.

Hulumtimi i KALLXO.com se në vitin e kaluar paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve, ka rezultuar me aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Hulumtimi i KALLXO.com kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Europiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohet nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Ndërkohë që për një veprim të tillë, Jasmin Mujanoviq, analist politik, specializant i shkencave politike për politikën e Europës Juglindore tha se ndoshta kjo mund të jetë hera e parë në histori që një qeveri paguan lobistë për ndarje të territorit.

Në vitin 2019, taksapaguesit e Kosovës kanë alokuar shumën prej 168,000 eurosh për një kompani marrëdhëniesh me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Sipas dokumenteve të siguruara nga KALLXO, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas aktakuzës, flet ish-ministrja Dhurata Hoxha

Kontrata me ‘Majorelle’ u nënshkrua dhe u negociua në vitin 2018 nga Dhurata Hoxha, Ministre e atëhershme për Integrime Evropiane nga radhët e PDK-së në qeverinë e koalicionit PAN të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kjo kontratë u vazhdua më pas në mars të vitit 2019.

Pas hulumtimit nga KALLXO.com, ngritet aktakuzë kundër Dhurata Hoxhës për lobimin e ndarjes së territoreve