Pas aksionit në veri, Kurti: Krimi do të luftohet pa ndërprerje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në afërsi të kufirit me Serbinë, ku u gjet një laborator i kultivimit të marihuanës, me mbi 10 mijë fije të mbjellura, të cilat ishin gati për shitje.
Kurti ka falënderuar doganierët dhe policët për punën, pavarësisht të shtënave me armë zjarri.
“Krimi do të luftohet pa ndërprerje. Në Izvor, një qytet në veri të Kosovës, policia jonë gjeti një laborator të rritjes së marihuanës me mbi 10,000 bimë ilegale. Të shtëna ndaj policëve dhe doganierëve, por ata janë të vendosur të vazhdojnë punën e tyre. Faleminderit për shërbimin tuaj”, u shpreh Kurti në Twitter.
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se nga një aksion i Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës në në vendin Izvor është zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës, në të cilin janë gjetur mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.