BURIMI - Economist.com

Pas Afganistanit, cili është vendi tjetër për xhihadin global?

Rreziku më i madh qëndron tek shtetet e dobëta e të paqëndrueshme ku kryengritësit tashmë e kanë marrë kontrollin aty.

Në Jemen ata festuan me fishekzjarre; në Somali shpërndanë ëmbëlsira; në Siri i dhanë kredit talebanëve pse i dhanë një “shembull të gjallë” se si duhet të “rrëzohet një regjim kriminal” përmes xhihadit. Në të gjithë botën, xhihadistët u gëzuan për rënien e Kabulit. Përmes vullnetit, durimit dhe dinakërisë, një grup i luftëtarëve të shenjtë me pak para e ka mposhtur Amerikën dhe ka marrë kontrollin e një vendi me një madhësi mesatare. Për myslimanët që dëshirojnë t’i dëbojnë jobesimtarët dhe t’i përmbysin shtetet laike, ishte dëshmi se Zoti e miraton një gjë të tillë. Efektet e një ngjashmërie të këtillë mund të ndihen shumë larg dhe shumë gjerë njëkohësisht.

Në ditët e ardhshme, Presidentit Joe Biden do t’i duhet ta zgjidhë rrëmujën që ka krijuar në aeroportin e Kabulit, ku turma të shumta kërkojnë të ikin. Është një moment i rrezikshëm për presidencën e tij. Në planin afatgjatë, bota duhet të merret me stimulimin e xhihadizmit nga poshtërimi i Amerikës. Rreziku kryesor nuk është se terroristët do ta përdorin Afganistanin si një bazë nga e cila do të godasin Perëndimin, siç bënë më 11 shtator të vitit 2001. Sulme të tilla janë më të vështira për tu bërë tani tani pasi që shtetet e pasura janë më të sigurta. Përveç kësaj, talebanët nuk ka gjasa të tolerojnë kampe të mëdha stërvitore për terroristët me mendje globale, pasi ata dëshirojnë njohje dhe ndihmë.

Sigurisht, disa kanë një ndjeshmëri ndaj një detyre mikpritjeje ndaj xhihadistëve të huaj sunitë, dhe disa do t’i ndihmojnë kushërinjtë e tyre militantë në Pakistan, duke e bërë atë shtet të armatosur bërthamor edhe më pak të qëndrueshëm. Por jashtë Afganistanit, efektet kryesore të kësaj ngjashmërie do të jenë psikologjike. Triumfi i talebanëve do t’i ndezë xhihadistët në shtetet e tjera dhe do t’i nxisë rekrutët të bashkohen me ta. Disa që jetojnë në shtete të pasura do të frymëzohen për të kryer akte terroriste atje. Nuk duhen shumë sulme të tilla për të mbjellë ndjenja frike ose për të tronditur politikën e brendshme.

Edhe më i keq do të jetë efekti në shtetet më të varfra, më të dobëta, ku xhihadistët aspirojnë jo vetëm për të vrarë, por për të kontrolluar territorin, ose të paktën të parandalojnë qeverinë që ta bëjë këtë. Në vende si Pakistani, Jemeni, Siria, Nigeria, Mali, Somalia dhe Mozambiku, ata tashmë i kontrollojnë këto vende. Në disa pjesë të tjera të Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, ata kërcënojnë të bëjnë një gjë të tillë. Shumë pyesin: nëse vëllezërit tanë afganë mund të dalin fitues ndaj një superfuqie, me siguri ne mund të fitojmë kundër sundimtarëve tanë të mjerë?

Xhihadistët nuk janë të gjithë njësoj. Shumë prej tyre nuk pajtohen me këtë doktrinë. Shumë prej tyre e urrejnë dhe luftojnë njëri -tjetrin. Mbështetësit e Shtetit Islamik i tallin talebanët, në mënyrë absurde, si mashtrues amerikanë. Një nga gjërat e para që talebanët bënë në Kabul javën e kaluar ishte ta nxirrnin nga burgu udhëheqësin e Shtetit Islamik në Azinë Jugore dhe pastaj ta vrisnin atë.

Shumica e grupeve xhihadiste janë të motivuara kryesisht nga padrejtësitë lokale: një qeveri grabitqare, një ndarje etnike ose sektare, dhunues të pafe. Megjithatë, ata gjithashtu ndërfuten në një narrativë globale. Në telefonat e tyre ata shohin dëshmi të përditshme se represioni me të cilin ata përballen në shtëpi është pjesë e modelit më të gjerë të persekutimit të myslimanëve, nga gulagu i Xinjiangut në Kinë deri në peizazhin djallëzor të Gazës. Kur xhihadistët arrijnë sukses kudoqoftë, ata ndiejnë krenari – dhe një thirrje për aksion.

Qeveria e keqe krijon një dritare për xhihadizmin. Kur një shtet është i padrejtë, qytetarët e tij mund të imagjinojnë se një shtet i tillë i udhëhequr nga xhihadistët mund të jetë më i mirë. Edhe nëse ata nuk rrokin armët në duar e tyre, ata mund t’i mbështesin në heshtje ata që e bëjnë një gjë të tillë. Shumë afganë ruralë vendosën që drejtësia e talebanëve, edhe pse e ashpër, ishte më e shpejtë dhe më pak e korruptuar sesa gjykatat qeveritare dhe se pikat e kontrollit të talebanëve ishin më pak plaçkitëse. Kjo është një arsye pse marshimi final i talebanëve në pushtet hasi kaq pak rezistencë. Tjetra ishte psikologjike: ata fituan sepse kur Amerika u tërhoq nga afganët nuk donin të vdisnin duke luftuar për një kauzë të humbur. Parime të ngjashme zbatohen diku tjetër. Xhihadistët në Nigerinë verilindore janë të vështirë për tu mposhtur sepse vendasit atje e urrejnë qeverinë qendrore dhe oficerët ushtarakë u shesin armët e tyre njerëzve guerilëve duke përfituar me para të gatshme.

Sapo xhihadistët ta fitojnë pushtetin, megjithatë, ata zbulojnë se ideologjia e tyre e bën të vështirë qeverisjen . Dëshira e tyre për të krijuar një shoqëri krejtësisht të devotshme dhe intoleranca e pamëshirshme e devijimit nga ai ideal, e bëjnë kompromisin pragmatik të ndërlikuar. Sundimi i Shtetit Islamik mbi një pjesë të madhe të Irakut dhe Sirisë zgjati vetëm tri vite. Shprehia e tij për ti vrarë njerëzit në kafaze e tjetërsoi një popullsi sunite potencialisht simpatike. Kështu bëri edhe dështimi i tij për të nxitur aktivitetet ekonomike përveç plaçkitjes dhe rrëmbimit. I frikësoi fuqitë e jashtme si dhe irakianët shiitë aq shumë saqë ata u bënë bashkë për ta shtypur atë.

Talibanët ishin gjithashtu udhëheqës të tmerrshëm kur ata udhëhoqen me Afganistanin për herë të fundit. Shumë varet nëse ata kanë mësuar nga gabimet e tyre. Nëse një grup xhihadistësh jo vetëm që mund të rrethonjë një vend, por edhe ta udhëheqin atë në mënyrë të durueshme, xhihadistët kudo do ta shihnin atë si një sinjal. Zrtarët e lartë talibanë, në dukje, deklarohen pragmatikë dhe këmbëngulin se do të respektojnë të drejtat e njeriut. Megjithatë, kohë të vështira na presin në ditët në vijim. Talibanë tashmë po kryejnë mizori. Shumë afganë urbanë, të cilët e kanë shijuar lirinë e veshjes, punës dhe studimit në mënyrën si të duan, edhe nëse janë femra, e përçmojnë regjimin e ri. Për shkak se rezervat financiare janë ngrirë në Amerikë, nuk ka para kesh. Ekonomia afgane është e kapur; çmimet janë në rritje. Talibanët ende nuk kanë zbuluar ide të mira për ringjalljen e ekonomisë afgane. Në vend të kësaj ata thonë se afganët e aftë nuk duhet të emigrojnë. Afganët e aftë mund të kenë ide të tjera.

Një mësim nga fiaskoja afgane është se ajo që ndodh në shtetet e largëta  e të dështuara ka rëndësi jo vetëm për njerëzit që jetojnë atje, por edhe për pjesën tjetër të botës. Fatkeqësia në Kabul sot nënkupton fluks më të madh refugjatësh, më shumë sulme xhihadiste dhe një shans më të madh që kryengritjet e tjera islamike të mbizotërojnë. Kjo mund të destabilizojë një numër të madh vendesh, duke rrezikuar si vendasit ashtu edhe të huajt që vizitojnë ose bëjnë biznes atje.

Një mësim tjetër është se një qasje thjesht ushtarake për të luftuar xhihadizmin nuk e bën tokën më pak pjellore për të. Zgjidhja afatgjatë është ngritja e shteteve më pak të tmerrshme, më pak ekskluzive. Nëse qeveria e vjetër afgane do të ishte më pak e korruptuar dhe më pak e paaftë në trajtimin e ndërmjetësve fisnorë të pushtetit, mund të ishte treguar më elastike. Po kështu, nëse Mozambiku verior, Tajlanda jugore, Kashmiri ose hapësirat e mëdha të Sahelit do të sundoheshin më mirë, nuk do të ishin bërë strehë për xhihadistët.

Përmirësimi i qeverisjes është i vështirë, jo më pak pasi shumë vende që janë pjekur nga xhihadi janë gjithashtu të shkatërruara nga ndryshimet klimatike. Thatësira më të shpeshta shtojnë pakënaqësinë dhe nxisin konfliktet mbi ujin dhe kullotat. Donatorët mund të ofrojnë këshilla dhe para, por përfundimisht i takon vendasve të ndërtojnë institucione funksionale. Nëse shtetet ekzistuese nuk ofrojnë shërbime esenciale dhe diçka që i përngjan drejtësisë, jehona e sirenës së xhihadistëve do të tingëllojë gjithmonë joshëse.

 

Linku: https://www.economist.com/leaders/2021/08/28/after-afghanistan-ëhere-next-for-global-jihad