Ilustrim

Pas 50 vjetësh brutaliteti të Assadit, sirianët i kërkojnë të dashurit e tyre

Në një mur të ngjyrosur jashtë Spitalit Mustahed të Damaskut janë fotografitë e burrave të vdekur.

Njerëzit shkojnë e vijnë derisa turma e madhe vazhdon të mbetet para tyre – duke kërkuar në rrezet e diellit në dimër të dashurit e tyre. Ishin burra, të cilët duket se kishin vdekur prej dhimbjeve të mëdha. Në fotografi shihen fytyra njerëzish të torturuar, me gjymtyrë të thyera e fytyra të cilat mezi njihen – shkruan BBC.

Trupat e viktimave ndodhen në spital, pasi janë sjell në Qendër të qytetit, prej një zone periferike të Damaskut. Mjekët kanë thënë se të gjithë të vdekurit ishin burgosur.

Një lumë grash, vëllezërish, motrash e baballarësh po shkojnë në spital në kërkim të informacioneve. Ata shpresojnë se do të gjejnë së paku trupat e më të dashurve të tyre, të cilët të kenë çfarë të varrosin.

Ata u afrohen fotografive me sytë katër, me shpresë se do të njohin fytyrat e dëmtuara të viktimave. Disa prej familjarëve i incizojnë me celularë të gjitha fotografitë, që pastaj të mund t’i shohin ngadalë se mos edhe më të dashurit e tyre ishin në mesin e fotografive në mur.

Është një punë e rëndë. Disa prej burrave duket se ishin vrarë para disa javësh – bazuar në dekompozimin e fytyrave. Ishin viktima të dinastisë Assad, që mori fund në fundjavë kur kryengritësit marshuan në Damask – përderisa, Bashar al-Assadi u arratis në Moskë. Sirianët tani po përballen me pasojat e regjimit të familjes Assad, e cila sundoi Sirinë me grusht të hekurt dhe vetëm gjatë luftës së fundit civile mori jetën e pothuajse gjysmë milioni sirianësh.

Prej murit të fotografive, familjarët marrin udhë drejt morgut.

Spitali Mustaged ka njoftuar se ka pranuar 35 trupa. Morgu i Spitalit është mbushur me trupa viktimash të paidentifikuara, të cilat janë sjellë në qese plastike me kamionë.

Brenda Morgut, trupat janë shtrirë në dyshemenë e betontë. Qeset janë hapur që familjet të mund t’i shohin fytyrat e të dashurve të tyre të mundshëm. Disa syresh janë hapur më shumë, me qëllim që familjet të mund të identifikojnë ndonjë shenjë të veçantë, me të cilat mund t’i njohin më lehtë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com