Pas 3 vitesh KPMSHC urdhëron ATK-në që të shikoj nëse 20 inspektoret e përzgjedhur i plotësonin kriteret e konkursit

Administrata Tatimore e Kosovës po vazhdon të ketë probleme me konkurset për inspektor tatimor të cilat i ka zhvilluar gjatë viteve të fundit.

Persona që lidheshin me njerëz të pushtetshëm dhe ish parti politike në pushtet si dhe të afërm të zyrtarëve të lartë të këtij institucioni, siç edhe ka raportuar KALLXO.com dhe kishte zbuluar se kishin arritur që të përzgjidheshin inspektor tatimor në dy konkurset e fundit të ATK-së.

Për këto dy konkurse, tani ka edhe vendime nga institucionet mbikëqyrëse të ATK-së, se ishin të përfshira në parregullsi.

Gati 3 vjet prej kur inspektoret e rinj të ATK-së nisen punën, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil (KPMSHC) urdhëroi verifikimin në detaje të të gjithë kandidatët e përzgjedhur nëse i kanë plotësuar apo jo kriteret e konkursit, posaçërisht kriterin për përvojën e punës.

Kjo pasi shumë kandidat që nuk ishin përzgjedhur, kishin parashtruar ankesa dhe padi në gjykatë me pretendimet se konkursi ishte i përfshirë në parregullsi të mëdha.

Pas këtyre ankesave, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil e ka urdhëruar ATK-në që t’i trajtojë edhe një herë ankesat e kandidatëve të cilat ishin paraqitur kundër konkursit të fundit.

KPMSHC urdhëroi ATK-në që brenda 15 ditëve të vendosë edhe një herë në lidhje më katër ankesat të cilat i kishte refuzuar tre vjet më parë.

Arsyeja e rishqyrtimit të tyre sipas KPMSHC-së, është fakti se ATK e kishte shkelur ligjin pasi nuk i kishte shqyrtuar fare pretendimet e ankuesve dhe nuk e kishte vërtetuar drejtë gjendjen faktike.

Në dy konkurset e fundit të ATK-së, janë konstatuar parregullsi dhe shkelje ligjore.

Se në konkursin e vitit 2017, kur ishin pranuar 30 inspektor tatimor kishte parregullsi, është konstatuar deri më tani nga dy institucione, KPMSHC dhe Gjykata Themelore në Prishtinë të cilat kanë kërkuar që konkursi të kthehet në pikën zero edhe janë bërë mbi 4 vjet kur 30 inspektorët kanë filluar punën.

Ndërsa për konkursin e fundit të ATK-së e deri më tani ka konstatuar parregullsi vetëm auditori i përgjithshëm, ndërsa rasti po trajtohet edhe nga KPMSHC-ja.

Auditori i Përgjithshëm ka konstatuar se procesi i rekrutimit të 20 inspektorëve tatimorë nga Administrata Tatimore e Kosovës është përcjellë me shumë paqartësi, parregullsi dhe anashkalim të procedurave.

“Mosaplikimi i rregullores së MF Nr. 01/2015 për Rregullat dhe Procedurat e Rekrutimit, Zhvillimit, Transferimit dhe Shkarkimi i Stafit të ATK-së. Konkursi i ATK-së ishte shpallur bazuar në rregulloren e MAP Nr. 02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbyes civil”, thuhet në raportin e Auditorit.

ZKA ka gjetur se komisioni përzgjedhës nuk i ka respektuar kriteret e konkursit pasi gjashtë kandidat që ishin përzgjedhur inspektor nuk i kishin të bashkangjitura referencat të cilat kërkoheshin me konkurs.

Përpos mungesës së referencave, Auditorët kanë konstatuar se në dy raste kandidatet e kishin dëshmuar përvojën e punës vetëm përmes dokumentacionit të Trustit Pensional dhe në dosjet e tyre mungonin kontratat e punës me të cilat do të dokumentoj përvoja adekuate e punës si në kriteret e Konkursit.

Auditori ka gjetur edhe se një kandidat më datë 1 prill 2019, kishte paguar Trustin Pensional për tre vjet dhe në dosjen i nuk figuronte ndonjë kontratë e punës, për vetëm letër referencat.

Në lidhje më këtë konkurs, KALLXO.com kishte gjetur se në krye të komisionit për rekrutimin e stafit të ri të ATK-së ishte vendosur Ukshin Rrecaj i cili në të kaluarën kishte qenë themelues i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.

Bashkë me Rrecajn, anëtar të komisionit për përzgjedhjen e inspektoreve ishin edhe Arben Istogu, Teuta Morina, Magbule Shala dhe Tatjana Bojkoviç.

Gjatë vitit të kaluar KALLXO.com kishte raportuar se në procesin e përzgjedhjes së inspektorëve të kryesuar nga ish anëtari i PDK-së, ishin punësuar disa zyrtar që kishin lidhje me këtë parti.

Disa nga të punësuarit kishin lidhje direkte me Partinë Demokratike të Kosovës:

Vllaznim Krasniqi, ish-këshilltari i ministrit të PDK-së Blerand Stavileci, njëherësh person i afërt me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Murtez Zeqiri, ish sekretari i degës së PDK-së, në Mitrovicë.

Pajtim Grainca, kushëri i zëvendësministrit të PDK-së në Ministrinë e Financave.

Qendrim Uka, i fotografuar përkrah Bajram Mulakut të PDK-së, në Vushtrri. Uka deri vonë punonte me kontratë mbi vepër në komunën e Vushtrrisë.

Petrit Xani, dhëndër i ish-drejtorit të përgjithshëm të SHIK-ut, dhe anëtarit të këshillit të përgjithshëm të PDK-së, Latif Gashit.

Afrim Tahiri, i cili shihet në fotografi bashkë me kreun e PDK-së, Kadri Veseli.

Kishte të punësuar edhe persona të afërm me partitë e tjera, përkatësisht Aleancës pë Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte punësuar Veton Ademi, ish-kandidat i AAK-së për asamblist të Drenasit në zgjedhjet e vitit 2017.  E punësuar si inspektore ishte edhe Ilona Osmani- Mrasori, motra e ish deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

Konkursi për inspektorët e rinj, ishte shpallur në mars të vitit 2019, në këtë konkurs kishin aplikuar rreth 2,000 kandidatë.

Ndërsa konkursi i vitit 2017 u konsiderua i kundërligjshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë teksa beteja ligjore tanimë është duke u zhvilluar në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Prishtinës e cilësoi si të parregullt konkursin e ATK pasi e konstatoi si diskriminues dhe me shkelje të mëdha ligjore.

Gjykata konstatoi se në këtë konkurs ishin punësuar persona të cilët nuk i përmbushnin kriteret për inspektor.

Gjykata ka gjetur se 8 nga të punësuarit nuk e kanë pasur përvojën e duhur të punës për t`u bërë inspektor.

“Gjykata vëren se kandidatët E. B., L. A., M. F., D. A., V. B., D. N., L. I. dhe S. R., në bazë të dëshmive të ofruara nga paditësja për përgatitjen profesionale nuk e kanë përvojën e punës tre vite pas diplomimit, prandaj komisioni përzgjedhës me rastin e përzgjedhjes së tyre ka bëre shkelje”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Shkalla e parë kishte konstatuar se komisioni i ATK-së, ka bërë diskriminim në momentin kur i ka eliminuar nga konkursi kandidatet të cilët nuk e kanë dëshmuar përvojën e punës me pagat në Trustin Pensional ndërsa në fund ka përzgjedhur për inspektor persona të tjerë edhe pse nuk e kanë dëshmuar përvojën e punës me të dhënat nga Trusti.

Parregullsi tjetër e konstatuar nga Gjykata e Prishtinës është mënyra e poentimit në diplomat universitare.

Gjykata ka konstatuar se poentomi i kandidatëve nuk ka qenë në përputhje me rregulloren pasi disa kandidat edhe pse e kanë pasur diplomën, janë poentuar me 16 dhe 18 pikë e disa të tjerë me 20 pikë që ishte maksimumi.

Sipas gjykatës, të gjithë kandidatët që kanë pasur diploma është dashur të poentohen me nga 20 pikë.

Gjykata ka konstatuar se ATK e ka shkelur ligjin edhe në momentin kur nuk e ka barë pezullimin e konkursit pas ankesës nga ana e kandidates E. Z.

Përpos këtyre shkeljeve në procesin e konkurrimit Gjykata ka gjetur se L. M. është përzgjedhur kandidat i suksesshëm edhe pse nuk e ka pasur diplomën e nostrifikuar nga Ministria e Arsimit siç kërkohet me Udhëzim Administrativ.

Këto shkelje të konstatuara kanë bërë që Gjykata të vendosë për aprovimin e vendimit të KPMSHC-së, me të cilin ishte urdhëruar që të anulohet procedura e përzgjedhjes së inspektoreve dhe shpallja e konkursit të ri.