Pas 20 vjetësh kapet i dënuari që vrau çiftin e bashkëshortëve

Njëzet vjet pas vrasjes së një çifti të bashkëshortëve, i dënuari Viktor Pelivani, 43 vjeçar, është kapur dhe ekstraduar për në Shqipëri.

Policia ka bërë të ditur se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Viena u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i Pelivanit.

Pelivani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë në maj të vitit 2018 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, kryer në bashkëpunim.

Një vit më parë, Policia e Shtetit e kishte publikuar emrin e Pelivanit, si një nga personat më të kërkuar në Fier.

Më datë 07.08.1999, rreth orës 23:00 në Kallm të Mbrostarit, tre persona të armatosur vranë çiftin Bajram dhe Natasha Driza 45 dhe 36 vjeç.

Bajram Driza i sapo kthyer nga Greqia, atë natë organizoi darkën për emrin e foshnjës së sapolindur, djalit të tretë të tij.

Vrasja u krye për 150 dhrahmi që Driza kishte fituar me disa muaj punë në emigrim.

Nga 3 autorët, i pari u arrestua Jurgen Baçja, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm më pas Feti Kaja, edhe ky i dënuar në mungesë po me burgim të përjetshëm.

Ndërsa Viktor Pelivani ishte shpallur në kërkim.