Pas 16 vitesh në zyrë, pensionohet kryetari i Gjykatës së Prizrenit
Që nga viti 2004 Gjykata Themelore në Prizren ka pasur vetëm një kryetar, Ymer Hoxhën.
I njëjti me datë 3 korrik të këtij viti do të dalë në pension pasi mbajti pozitën e kryetarit për 16 vite, apo katër mandate..
Ymer Hoxha në vitin 2004 ishte zgjedhur kryetar i Gjykatës Komunale në Prizren për dy mandate, ndërsa pas reformimit të sistemit të drejtësisë në janar të vitit 2013, Hoxha u zgjodh kryetar i Gjykatës Themelore Prizren.
Në vitin 2016 Hoxha pa kundër kandidat u rizgjodh kryetar i Gjykatës Themelore Prizren për tu pensionua në këtë pozitë.
“Punë deri në pension për të mos u koritur” kishte thënë Ymer Hoxha në emisionin Drejtësia në Kosovë.
“Po shpresoj që për kaq kohë sa më ka mbetur nuk do të koritemi dhe do të bëjmë çmos për ta kryer punën me ndërgjegje dhe me profesionalizëm” kishte thënë Ymer Hoxha në intervistën e tij kur ishte pyetur si mendon ta përfundojë mandatin e fundit.
Në vitet e fundit kryetari Hoxha në konferencat vjetore kishte paraqitur në vazhdimësi ankesat ndaj Komunës së Prizrenit, për mungesën e vullnetit nga ana e Komunës së Prizrenit që Gjykatës t’i sigurohet një hapësirë dhe vend konkret për ndërtimin e objekti të ri të Gjykatës.
Kryetari Hoxha tha se kjo Gjykatë ka tash e disa vite një buxhet të ndarë për ndërtimin e objektit të ri, mirëpo sipas tij Komuna e Prizrenit dhe kryetari Haskuka nuk kanë treguar gatishmërinë e duhur për ti siguruar Gjykatës një hapësirë konkrete.
Në qershor të vitit 2018 ndaj Prokuroria kishte hedhur poshtë një kallëzim penal të avokatit Gent Gjini nga Prizreni, i cili pretendonte se ishte kërcënua nga kryetari i Gjykatës.
“Nuk kam asgjë personale me avokatin, nuk është në natyrën time të kërcënoj dikë “ kishte thënë Hoxha për rastin.