Pas 15 muajve pauzë, nis gjykimi ndaj të dyshuarit për falsifikim të vërtetimeve tatimore

Bekim Korça, i akuzuar për falsifikimin e vërtetimeve tatimore, është ulur në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Gjilanit.

Korça, i cili është zyrtar i tatimit në pronë në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në seancën e sotme u deklarua i pafajshëm në atë që e ngarkon Prokuroria e Gjilanit.

Kujtojmë se shqyrtimi fillestar në këtë rast, është mbajtur qysh më 18 shkurt 2020 dhe që nga atëherë nuk është mbajtur as edhe një seancë tjetër gjyqësore.

Në seancë u dëgjua disa dëshmitar. Njëri nga ta edhe Nazmi Halimi, i cili tha se ka punuar në Zyrën e Tatimit në Pronë kurse tani është pensioner.

“Udhëheqës i Zyrës së Tatimit në Pronë kam qenë afërsisht 16 vite. Bekim Korçen e njoh, pasi ka qenë punëtor imi dhe i njëjti ka punuar si punëtor i Tatimit në Pronë nga viti 2002 deri në vitin 2010. Si zyrtar i personelit, Bekimi ka pasur për obligim të komunikoj me palë verbalisht, kurse ankesat e shkruara kanë shkuar përmes protokollit. Vërtetimet sipas kërkesave të palëve, i ka lëshuar Bekimi si vërtetime për regjistrim të veturave, vërtetim për bartje të pronës si dhe vërtetime të tjera”, tha dëshmitari Halimi.

Ai tha se për t’u lëshuar një vërtetim i Tatimit në Pronë borxhi duhet të jetë i paguar, por jo në tërësi, do të thotë se vërtetimi kur lëshohet, duhet të figuroj sa është paguar dhe sa ka mbetur borxh. Ai gjithashtu tha se nuk e di se ish punëtori i tij, Bekim Korça ka lëshuar ndonjë vërtetim tatimor edhe pse dikush mund të mos e ketë pasur tatimin e paguar.

Dëshmitari gjithashtu tha se disa vërtetime tatimore që i ka kontrolluar, pasi është njoftuar nga policia për rastin, ka vërejtur se nuk kanë qenë në rregull dhe se ato i ka lëshuar Bekim Korça.

Dëshmitari tjetër Gazmend Abdullahu, zyrtar ligjor në Policinë e Gjilanit, tha se nuk e di nëse agjenti i kompanisë me të cilën e ka regjistruar veturën ka nxjerr vërtetim tatimor dhe të njëjtin ta ketë dorëzuar në Komunë. Ai gjithashtu tha se agjenti nuk i ka dhënë asnjëherë ndonjë vërtetim të tatimit në pronë.

Dëshmitari i fundit Avni Bekteshi, tha se në vitin 2019 (kur edhe akuzohet Bekim Korça), e ka regjistruar veturën bashkë me agjentin e kompanisë së sigurimeve. Ai gjithashtu tha se gjatë viteve 2018-2019, nuk e ka pasur tatimin të paguar dhe kanë shkuar në Zyrën e Tatimit në Pronë ku kanë biseduar tani të akuzuarin Korça dhe ai u ka thënë se nuk mund të pajisen me vërtetim tatimor.

Ky dëshmitar tha se deri sa ka pritur disa minuta, agjenti i kompanisë i ka sjell vërtetimin e tatimit në pronë edhe pse nuk e ka paguar fare tatimin ndaj të cilit ka pasur borxh në shumën mbi 600 euro.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Bekim Korça, në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në vazhdimësi (nga viti 2018 e deri në vitin 2019), ka falsifikuar dokumente zyrtare-vërtetime mbi kryerjen e pjesërishme ose të plotë të obligimeve tatimore, duke futur të dhëna të pavërteta me qëllim që persona të caktuar t`i iknin pagesës së tatimit në pronë.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Korça në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Gjilanit ka lëshuar 6 vërtetime të pavërteta në emër të personave të tjerë, me qëllim që personat të cilëve ua ka lëshuar ato vërtetime mos të paguajnë tatimin në pronë dhe të njëjtat vendime i ka nënshkruar me qëllim të përdorimit të tyre si të vërtetë.

Pas propozimeve për dëshmitarë të tjerë, seanca u vendos të vazhdohet më 19 korrik.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Dosja e Prokurorisë, si i falsifikoi zyrtari i Komunës së Gjilanit vërtetimet tatimore