Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Pas 10 vitesh, Auditori rikthen llupën kah RTK-ja
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës dhe auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV) të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të RTK-së për herë të fundit nga ZKA-ja është kryer në vitin 2010. Që atëherë auditimi i PFV-ve të RTK-së është kryer nga një auditor i jashtëm, të cilin RTK-ja e ka përzgjedhur me procedura të prokurimit. Përderisa, raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja është publikuar në vitin 2015.
RTK financohet nga buxheti i Kosovës dhe të hyrat tjera vetanake. Për vitin 2020 nga buxheti i Kosovës është financuar me 11,200,000 euro dhe buxheti i planifikuar nga të hyrat vetanake për këtë vit ishte 1,812,000 euro. Shpenzimet e RTK-së për vitin 2020 ishin në vlerë prej 12,591,000 euro.
“Duke e pasur parasysh kohën e gjatë që ZKA-ja nuk ka kryer një auditim të RTK-së dhe vlerën e lartë monetare me të cilën buxheti i Kosovës e financon këtë medium publik, vlerësohet se ky auditim është me interes për publikun dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.
Objektivë e auditimit të pasqyrave financiare të RTK-së për vitin 2021 është të ofrohet siguri e arsyeshme nëse pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keq-deklarime materiale, qoftë për shkak të mashtrimit ose gabimit.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka sqaruar edhe qëllimet e auditimit të televizionit publik. Auditori do të testojë nëse transaksionet e kryera nga organizata janë në përputhje me kornizën ligjore në të cilën vepron.
“Kjo nënkupton marrje të sigurisë se transaksionet janë në përputhje me autoritetet e duhura, duke përfshirë kornizën statutore të organizatës”, thuhet në njoftim.
Objektivi tjetër në këtë auditim është të shprehet një konkluzion i auditimit për pajtueshmërinë e autoriteteve përkatëse të RTK-së me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare, lidhur me subjektin e audituar.
Gjithashtu sa i përket auditimit të performancës, objektiv e auditimit është të vlerësohet nëse RTK-ja ka menaxhuar në mënyrë të duhur fondet publike.
Ky auditim i performancës sipas ZKA-së do të mbulojë aspektin e burimeve njerëzore, duke përfshirë stafin aktual, nevojat për rekrutim të stafit shtesë, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore.
Auditimi do të fokusohet në këtë fushë, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e buxhetit vjetor të RTK-së shpenzohet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve. Fushëveprimi i auditimit të performancës do të përfshijë RTK-në si përgjegjëse për vlerësimin e nevojave për burime njerëzore, caktimin e objektivave të stafit, zbatimin e procedurave të ndryshme, vlerësimin e performancës edhe sigurimin e vlerës për paranë e shpenzuar.
Auditimi do të përfshijë aktivitetet e ndërlidhura me burimet njerëzore e që janë zhvilluar në vitet 2019, 2020 dhe deri në shtator të vitit 2021.
Auditimet do të kryhen në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe praktikat e mira evropiane.
Përmes këtyre auditimeve synohet rritja e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të aktiviteteve në aspektin e burimeve njerëzore, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore të RTK-së.
“Aty ku do të konsiderohet e nevojshme auditimi do të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara për përmirësimin e nivelit të përgjithshëm të performancës së RTK-së”, sqarohet më tej në njoftimin e ZKA-së.