Parukier gjatë ditës, gjuetar i dronëve gjatë natës

Me afrimin e përvjetorit të parë të 24 shkurtit të pushtimit të Rusisë, Ukraina po bëhet gjithnjë e më e aftë për t’i rrëzuar raketat dhe dronët rusë të gjuajtur në qytete larg vijave të frontit, dhe ukrainasi i quajtur Shamshur krenohet me rolin e tij.

Anëtarët e njësisë së tij të mbrojtjes territoriale, duke përfshirë një avokat dhe një biznesmen, u përgjigjen alarmeve për sulm ajror në dhe rreth kryeqytetit Kiev, duke kërkuar t’i rrëzojnë dronët Shahed-136 të prodhuar nga Irani me një mitraloz të restauruar të Luftës së Dytë Botërore.

“Jam person shumë i lumtur sepse jam duke mbrojtur vendin tim, jam duke mbrojtur popullin tonë ukrainas”, thotë Shamshur ndërkohë që vështronte horizontin e hënës të kryeqytetit përmes një kamere termike me një gjetës rrezesh nga pozicioni i tij në një çati.

Aty pranë, një bashkëluftëtar po rregullonte tytat e gjelbra të mitralozit “Maxim” të prodhimit sovjetik.

“Por në të njëjtën kohë mund të vij në sallon bukurie dhe të punoj me njerëzit, të bëj punën që di, të pres flokët dhe të flas me klientët”, shton tutje ai.

Shamhur thotë se nuk i kishte shkuar kurrë në mendje si një civil të “ikte dhe të fshihej diku” kur dhjetëra mijëra forca të blinduara ruse sulmuan Ukrainën befasisht dimrin e kaluar dhe filluan ta bombardojnë Kievin dhe qytete të tjera.

“Me armikun në pragun e derës, më duhej të bëja diçka, duhej të veproja për t’i dalë në mbrojtje vendit tim”, thotë ai.

Gjatë natës së 29-30 dhjetorit, rrëfen Shamshur, njësia e tij në çati rrëzoi dy drone mbi Kiev. Ekipi i tij ia ka përcjellë edhe njësive të tjera aftësitë që kanë mësuar.

Shamshur mban disa distinktivë në uniformën e tij të kamuflazhit, duke përfshirë një ku shkruan “Gjuetarët e dronëve”, në anglisht dhe një tjetër në gjuhën ukrainase që shkruan “Ronin” – një luftëtar feudal japonez – emër ky të cilin ai e ka adoptuar si nofkën e tij të luftës.

“Kur Rusia e pushtoi Ukrainën, Shamshur – një rezervist i ushtrisë para luftës – mësoi se baza e tij ushtarake ishte shkatërruar tashmë nga bombardimet ruse, kështu që ai iu bashkua mbrojtjes territoriale, fillimisht duke shpërndarë ushqim për civilët dhe duke ndihmuar në evakuimin e njerëzve.

Në punë në sallonin e tij, ende i veshur me uniformë kaki ushtarake teksa stilonte flokët e një klienti, ai thotë se përpiqet të mos flasë me klientët e tij për luftën, duke e quajtur atë “të errët” në kontrast me “dritën” në pjesën paqësore të jetës së tij./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala