Topografi nga Mitrovica e Veriut. 09.06.15, Mitrovica. Photo: Atdhe Mulla

Partitë shqiptare sfidojnë Listën Serbe

Partitë shqiptare në Mitrovicën e Veriut, kanë vendosur që të garojnë së bashku kundër Listës Serbe, që aktualisht qeverisë në këtë komunë.

Skënder Sadiku do të jetë bartës i listës i partive shqiptare për Asamble komunale në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në këtë komunë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesë e listës do të jenë edhe komunitetet që nuk i përkasin etnisë serbe.

Azemi thotë që ka më shumë se pesë muaj që kur kanë filluar të jetësojnë këtë iniciativë bashkimi.

“Jemi bërë bashkë Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK, Koalicioni VAKAT, AKR, shoqëria civile, komuniteti RAE dhe kemi vende të rezervuara edhe për ata serbë që mendojnë ndryshe nga një monopol partiak që është tani në veri”, thotë Azemi.

Ai është i bindur se të bashkuar do të mund ta mposhtin Listën Serbe.

“Ne nuk jemi bllok kundër askujt, jemi bërë bashkë për veten dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve që jetojnë në veri. Ne i kemi hyrë kësaj gare për të normalizuar dhe për të demokratizuar jetën në veri”, thotë Azemi.

Kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, aktualisht është Milan Radojeviq, i cili është pjesë e Listës Serbe.

Partitë e bashkuara shqiptare në Mitrovicë të Veriut kanë aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me emrin ‘Iniciativa qytetare Mitrovica’.

KQZ-ja ka njoftuar se për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4.920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4.757 për kuvende komunale.

Novobërda i bëri bashkë Lëvizjen Vetëvendosje dhe PDK-në

Lista Serbe udhëheq edhe me Komunën e Novobërdës. Kryetar i kësaj komune tash e katër vjet është Svetisllav Ivanoviq.

Shembullin e Mitrovicës së Veriut, janë duke e ndjekur edhe partitë në Komunën e Novobërdës.

Lëvizja Vetëvendosje në Novobërdë ka njoftuar se ka ftuar partitë politike shqiptare në këtë komunë të kandidojnë me listë të përbashkët dhe kandidat të përbashkët kundër Listës Serbe.

Deri më tash kësaj ftese, i është përgjigjur pozitivisht PDK-ja.

Kreu i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Novobërdë, Abdyl Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se po synojnë që në zgjedhje të sfidojnë Listën Serbe.

“Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm në Artanë (Novobërdë), por edhe në të gjitha komunat tjera ku qeverisë Lista Serbe, është duke tentuar që të bëhen bashkë me subjektet tjera shqiptare karshi Listës Serbe që të dalim sa më të fuqishëm në zgjedhjet lokale”, thotë Gashi.

Gashi thotë se është e rëndësishme që Lista Serbe ta humbë pushtetin, pasi sipas tij, kjo parti ka qëllim vetëm pengimin e institucioneve të Kosovës.

Kjo, thotë Gashi, është dëshmuar në të gjitha komunat ku qeverisë kjo parti.

“Në Kosovë janë bërë padrejtësi duke filluar prej decentralizimit, ku Komuna e Artanës ka qenë shumicë shqiptare, edhe tash rrjedhimisht Lista Serbe mobilizon edhe votues nga Serbia për të arritur qëllimin e vet brenda shtetit të Kosovës”, thotë Gashi.

Ftesës së Vetëvendosjes nuk i është përgjigjur Lidhja Demokratike e Kosovës, që aktualisht ka pozitën e nënkryetarit të Komunës së Novobërdës.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje nga kjo parti gjatë së premtes, por të njëjtin nuk kanë komentuar sa i përket kësaj çështje.

GAP: Partitë kanë të drejtë të bashkohen

Bashkëpunimi i partive shqiptare do t’iu jepte fuqi në komunat me shumicë serbe, thotë Bekim Salihu, hulumtues i lartë në Institutin GAP dhe njohës i pushtetit lokal.

Sipas tij, praktika në të kaluarën ka dëshmuar se dalja veç e veç në zgjedhje, ka ndikuar në humbjen e votave dhe jo në faktorizimin e subjekteve shqiptare.

“Konsideroj që te këto raste kur kemi të bëjmë me komunat me shumicë serbe, pajtimi i partive shqiptare për t’u unifikuar është proces i cili duhet mbështetur, për faktin se vetëm kësisoj mund të rritet ndikimi i tyre në qeverisjen lokale në këto lokalitete”, thotë Salihu.

Sipas tij, Lista Serbe grumbullon rreth vetes të gjitha partitë serbe, të cilat janë të përfaqësuara në komunat me shumicë serbe dhe kjo ndikon që partitë shqiptare të mos mbledhin vota në këto komuna.

“Ligjërisht brenda konditave të parapara, sepse subjektet politike edhe mund të bashkohen në raste të caktuara dhe lokalitete të caktuara, jo të shkrihen si subjekt i vetëm politik, por të përfaqësohen ose të pajtohen lidhur me një kandidat të caktuar”, thotë Salihu.

Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Kosovë katër vjet më parë, Lista Serbe kishte fituar rreth 50 mijë vota.

Për katër vjet kjo parti ka qeverisur në 10 komuna, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Kllokot, Ranillug, Partesh, Shtërpcë, Novobërdë dhe Graçanicë./REL