Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

Partitë shqiptare në Artanë ende pa marrëveshje për t'u bashkuar në zgjedhjet lokale

Partitë politike shqiptare në Artanë janë takuar dy herë në përpjekjen për të caktuar një kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, por deri më tani nuk janë marrë vesh se kush duhet të jetë.

Në një bisedë për KALLXO.com, kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Ymeri ka thënë se në dy takime me përfaqësues të partive të tjera, ende nuk janë marrë vesh se kush duhet të jetë kandidat i përbashkët për kryetar komune.

Ai tha se lajmet që Vetëvendosje dhe PDK janë pajtuar për të bashkëpunuar në zgjedhjet lokale, nuk janë të vërteta.

Sipas Ymerit, dy parti shqiptare kanë propozuar që ai të jetë kandidat për kryetar të Artanës.

“Ne, duke pa nevojën që të dalim me një kandidat kësaj radhe për kryetar komune, i kemi pasur dy takime me të gjitha subjektet politike. Në takimin e parë, nga AKR është thënë që në një situatë ku gjendemi sot, ku ka ndasi në komunitetin serbë, mes dy taborëve, i vetmi kandidat i cili mund ta fitoi këtë garë është Bajrush Ymeri, ata më kanë propozuar mu si kandidat. Të njëjtën mbështetje e kam marrë edhe prej AAK-së”, tha ai për KALLXO.com.

Por, me propozimin e AKR-së dhe AAK-së nuk është pajtuar Lëvizja Vetëvendosje.

“PDK kanë thënë nuk kemi asgjë kundër propozimit, por ne do ta shqyrtojmë në kryesi qendrore. Ashtu kanë thënë edhe Vetëvendosje. Në takimin e pas dy ditëve, Vetëvendosje e ka thënë qëndrimin e vetë, që ne nuk përkrahim kandidat i cili vjen nga radhët e një subjekti politik, kërkojmë që kandidati të jetë nga shoqëria civile. Prej asaj kohe ka kaluar një muaj, ne nuk kemi emër për kandidat nga shoqëria civile”, tha ai.

Ymeri tha se nuk mund ta pajtohen për një emër të përbashkët, pa e ditur paraprakisht se kush është.

Edhe nga PDK kanë thënë se ende nuk ka ndonjë marrëveshje për t’i bashkuar forcat me Vetëvendosjen për zgjedhjet e 17 tetorit.

“Deri tani, nuk ka asgjë konkrete. Mediat e kanë qite që u bënë bashkë Vetëvendosje dhe PDK, por ne nuk jemi bashkë, ne kemi qenë përkrahës që të gjendet një kandidat konsensual jashtë partive politike, po tekefundit nëse caktohet një kandidat konsensual e i cili përkrahet nga të gjitha partitë politike, edhe PDK do ta përkrah”, ka thënë kryetari i degës së PDK-së në Artanë, Selatin Nuhiu.

“Nga AKR dhe AAK është propozuar Bajrush Ymeri i LDK-së, por ne dhe Vetëvendosje nuk kemi dashtë me përkrah një kandidat i cili është nën petkun partiak, i cili është nga subjektet politike. Deri më tani nuk ka asgjë konkrete, ne jemi të interesuar që ta kemi një kandidat konsensual dhe nuk do të jemi pengesë”, tha ai.

Vetëvendosje në anën tjetër ka thënë se mediat gjatë ditës së djeshme e kanë devijuar lajmin për bashkëpunim mes kësaj partie dhe PDK-së. Abdyl Gashi, kryetar i degës së LVV-së në Artanë tha se janë të interesuar që të gjejnë një emër të pranueshëm për të gjithë.

“Mediat elektronike e kanë bë pak edhe për klikime, ne si Lëvizje e kemi marrë një iniciativë me arrit një unitet në Artanë, por edhe në komunat tjera. Unë i kam takuar përfaqësuar e partive tjera politike shqiptare ku kemi kërkuar që ta gjejmë një kandidat, qoftë prej shoqërisë civile qoftë një kandidat kredibil, i cili mund t’i përfaqësojë interesat e qytetareve dhe është partiak”, deklaroi ai.

Gashi tha se deri më tani, LDK nuk po pajtohet me propozimin e LVV-së.

“Kjo nuk është përkrahur nga Lidhja Demokratike. E vetmja e pajtimit që ka qenë është Partia Demokratike e Kosovës dhe nuk kemi mund ta arrijmë një kosensus të përbashkët, normalisht LDK nuk po pajtohet për një gjë të tillë. Ata po thonë që ne e kemi kandidatin tonë, ai është më i votuari dhe është nënkryetar, ne po kërkojmë dikë nga shoqëria civile. Ne nuk kemi propozuar ende një person, por u kemi thënë edhe atyre që ta propozojnë dikë”, tha ai.

Sot gjatë ditës, partitë shqiptare në Mitrovicën Veriore u pajtuan që të garojnë në një listë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Partitë shqiptare në Mitrovicën Veriore bëhen bashkë për zgjedhjet lokale