Partitë shqiptare diktojnë formimin e qeverisë së re në Maqedoni të Veriut

Rezultati i ngushtë mes partive politike në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut, do t’i vështirësojë negociatat për formimin e shumicës së re në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe formimin e qeverisë. Në bazë të Kushtetutës, mandati për formimin e qeverisë i jepet partisë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve, në këtë rast Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), e cila ka siguruar 46 ulëse.

Për të formuar shumicën prej 61 deputetëve, asaj i duhen edhe 15 deputetë, pra detyrimisht do të duhet të bëjë koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) që ka 15 deputetë, e cila në fushatë doli me kërkesën për kryeministër shqiptar. Por, dy partitë maqedonase, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, kanë hedhur poshtë një kërkesë të tillë dhe kjo pritet të shihet se si do të reflektohet në bisedimet për qeverinë.

Nëse palët mbeten në qëndrime të tilla, mund të shkaktohet krizë që mund të çojë vendin në zgjedhje të reja, apo të kërkohen kombinime të tjera me opozitën shqiptare që ka siguruar 12 ulëse, partinë e ekstremit të majtë “Levica” që ka dy mandate dhe Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) me një mandat deputeti.

“Ka hapësirë që të mund të shkohet në zgjedhje të reja, nëse ata do të insistojnë në këtë, por besoj se do të ketë një marrëveshje reale me BDI-në pasi nuk do të ishte e mirëseardhur që të shkohet në zgjedhje, ose të ketë ndonjë marrëveshje rotacioni (për kryeministrin). Mendoj se të gjitha opsionet janë të hapura, por duke e ditur se BDI-ja gjithmonë ka qenë tolerante, nuk ka pasur ndonjë qëndrim kategorik, mendoj se duhet të shohim se si do të lëvizin gjërat”, ka deklaruar analisti Bashkim Selmani.

Ai ka shtuar se shqiptarët nga këto zgjedhje kanë dalë faktorë i rëndësishëm për formimin e qeverisë së re.

“Është hera e parë që shqiptarët pretendojnë kulmin për ta marrë. Vetë verdikti i popullit u ka dhënë fuqinë atyre, pasi me këtë shpëtuan legjitimitetin shqiptar pasi qëllimi ishte se kush do të ketë legjitimitetin e tyre dhe pastaj mbetet të shohim ne si qytetarë nëse BDI-ja e ka pasur seriozisht me kërkesën për kryeministrin apo vetëm si kamuflazh për të marrë vota”, ka theksuar Selmani.

Lupço Poposki, njohës i rrethanave politike, ka thënë gjithashtu se partitë do ta kenë të vështirë të arrijnë marrëveshje nëse merren parasysh pozicionet e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

“Kemi epërsi shumë të ngushtë dhe tani mbetet të shihet se si do të veprojë LSDM-ja në gjetjen e partnerit për të formuar qeverinë. Mbetet të shihet nëse sulmet në fushatën zgjedhore mes LSDM-së dhe BDI-së kanë qenë vetëm retorikë, apo nëse do të reflektohen në formimin e qeverisë. Numrat që kanë partitë paralajmërojnë vështirësi në formimin e shumicës së re në Kuvend që duhet të zgjedhë qeverinë. Edhe nëse formohet shumica, besoj se ajo do të jetë shumë e ngushtë në numra”, ka vlerësuar Poposki.

Alekandar Kërzhallovski nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar që merret me analizën e proceseve zgjedhore, ka thënë se problem tjetër në formimin e qeverisë mund të paraqesin qëndrimet mes vetë partive shqiptare, të cilat mund të mos pranojnë të jenë pjesë e një shumice për të formuar qeveri stabile.

“Tani si qëndrojnë numrat është e vështirë të parashikohen edhe qëndrimet e partive shqiptare. Vështirë të parashikohet nëse BDI-ja do të donte në qeveri të ishte edhe Aleanca, por edhe e kundërta, kjo e fundit të mos dëshirojë të jetë pjesë e koalicionit ku bëjnë pjesë BDI-ja dhe Lëvizja Besa, e cila është ndarë nga opozita dhe ka kaluar në koalicion parazgjedhor me LSDM-në”.

“Pra, përveç dallimit shumë të vogël mes LSDM-së dhe VMRO-së, kemi edhe qëndrimet aspak të përafërta mes partive shqiptare nga të cilat varet formimi i qeverisë së re”, ka thënë Kërzhallovski.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka paralajmëruar se do të bisedojë me të gjitha partitë shqiptare për të ndërtuar një pozicion të përbashkët për qeverisjen e re. Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja me 44 ulëse në kuvendin e ri, apo dy më pak se LSDM-ja, gjithashtu ka paralajmëruar se do të zhvillojë bisedime me partitë tjera për të formuar shumicën e re në kuvend./REL