Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Partitë shqiptare dhe të komuniteve bëhen bashkë në garë për Komunën e Mitrovicës së Veriut 

Kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Iniciativa Qytetare Mitrovica ka treguar në DebatPernime se disa parti shqiptare dhe të komuniteve janë bërë bashkë për të garuar për zgjedhjet lokale në këtë komunë, kundër Listës Serbe në anën tjetër.

Atiq vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa është kandidat tashmë për kryetar nga Iniciativa Qytetare Mitrovica.

“Jemi 6 parti që sot po garojmë bashkë: Vetëvendosje, PDK, LDK, koalicioni VAKAT nga komuniteti boshnjak, AKR, AAK dhe i kemi dy kandidatë nga shoqëria civile – apartiak. Jo në Komunën e Mitrovicës Veriore, por në asnjë qytet tjetër të Kosovës kjo nuk ka ndodhur, kjo është hera e parë në këtë historinë e re të Republikës së Kosovës që bëhet një listë e përbashkët në këtë gjerësi dhe me këtë formacion”, tha ai.

Në rast se Atiq nuk arrinë të bëhet kryetar partie, kjo Iniciativë e ka të garantuar pozitën e nënkryetarit në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Pas zgjedhjeve të 17 tetorit, Iniciativa Qytetare Mitrovica, e cila përbëhet nga disa parti politike, e kanë të garantuar pozitën e nënkryetarit në këtë komunë.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Mitrovicës së Veriut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Në DebatPernime është kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut: Erden Atiq nga Iniciativa Qytetare Mitrovica.

I ftuar në debat ka qenë edhe Milan Radojeviq nga Lista Serbe por i njëjti nuk ka pranuar të jetë pjesë e debatit.

Për të qenë përballë kandidatit për kryetar të komunës janë ftuar edhe kandidatet për asambliste në këtë komunë, por asnjëra prej tyre nuk ka ardhur në debat.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.