Partitë pro - kundër projektligjit për rimëkëmbje ekonomike

Partia Demokratike e Kosovës thotë se projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike i propozuar në Kuvendin e Kosovës, nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi. Sipas kësaj partie, tërheqja e 10 për qind të kursimeve në Trustin Pensional, do të dëmtojë qytetarët, meqë shteti nuk do të rimbursojë asnjëherë këto mjete.

Kujtim Gashi nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës gjatë seancës plenare tha se po kërkojnë që ky projektligj të tërhiqet nga shqyrtimi sot, pasi që i njëjti nuk trajton pandeminë.

Veç tjerash, Gashi tha se është për keqardhje që sot derisa po diskutohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk janë prezent ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe ai i Tregtisë dhe Industrisë.

Ky projektligj mund të jetë gjithçka tjetër, por vetëm Ligj për Rimëkëmbje nuk është sepse i njëjti nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi. Madje ky ligj nuk ndihmon as shëndetësinë, sektor ky që po ballafaqohet me probleme të shumta sa i përket përballjes së personelit shëndetësorë me virusin COVID-19”, tha ai.

Ai tha se tërheqja e 10 për qind të kursimeve në Trustin Pensional, do të dëmtojë qytetarët, meqë shteti nuk do të rimbursojë asnjëherë këto mjete.

“Përkundër që tërheqja e 10 për qind e mjeteve mund të duket si ndihmë afat shkurte për qytetarët, në aspektin afatgjatë dëmton qytetarët meqë shteti nuk do t’ua rimbursojë asnjëherë këto mjete. Pra, kjo i bie që ata që do të tërheqin mjetet do të zvogëlojnë edhe më shumë fondin e tyre pensional. Pra, do të kenë për 10 për qind më pak mjete ndoshta edhe për pleqërinë e tyre”, shtoi ai.

Ndër tjera, Gashi tha se në kohën kur ka qeverisur LVV me LDK-në, partia ku ai bën pjesë kishte prezantuar një pako për rimëkëmbje ekonomike në vlerë prej 320 milionë euro. Sipas tij, ky projektligj u injorua para pesë muajve, e që siç tha ai, me këtë projektligj PDK kishte paraparë masa konkrete se si të menaxhohet pandemia, por edhe si të përkrahet sektori privat.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për projektligjin për pandeminë ka kërkuar nga deputetët të votojnë pro projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Deputeti i kësaj parti tha se me anë të kësaj do të krijohet shpresë për qytetarët e prekur nga kriza e pandemisë Covid 19.

“Ju kërkoj të gjithëve pa marrë parasysh vërejtjeve që mund ti kemi si grupe parlamentare. Kërkojë të votoni ligjin për rimëkëmbje, pasi kështu do t’i hapim rrugë institucioneve shtetërore dhe do t’i krijojmë shpresë për të dal nga kjo situatë e rëndë”, tha ai.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do të përkrahë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Deputeti Hekuran Murati në seancën e sotme plenare paraqiti kritika ndaj projektligjit për të cilin tha se ka mangësi dhe nuk i ndihmon ekonomisë.

Ai tha se as tërheqja e dhjetë përqindishit nuk i ndihmon atyre që kanë nevojë, pasi pjesa e madhe e tyre nuk kanë të hyra në këtë fond pensional.

“Sa i përket Trustit e kam theksuar edhe më herët të vetmit që do të përfitojnë aty janë kryesisht ata të cilët kanë të hyra të rregullta, kontrata dhe paga pak më të larta se mesatarja. Pjesa më e prekur nga kriza ekonomike nuk do të ndihmohet. Ne nuk jemi kundër që të ndihmohet edhe ata që nuk e kanë patjetër, por prioritetit duhet të jetë tek ata që nuk kanë fare pare në trust”, tha ai.

Krahas kësaj ai tha se edhe ulja e TVSH-së për bizneset nuk ka synim për ruajtjen e punësimit në këtë sektor.

“Krejt çka ka këtu është një ulje e tvsh-së për bizneset të cilat e kanë pasur lobin pak më të fortë. Edhe kjo megjithatë nuk është zgjidhje, nëse synimi ka qenë që të rritet kërkesa në këtë sektor kjo nuk arrihet. Me uljen e tvsh-së nuk garantohet që do të ketë ulje të çmime e si rezultat të rritet edhe sasia e kërkuar për këto shërbime. Nëse nën anën tjetër, ka qenë ruajta e punësimit në këtë sektor që do të ishte primar në këtë rast, të ndihmohen kamerierët kryesisht as ajo nuk arrihet”, tha ai.

Derisa paraqiti kritika edhe për marrjen e 100 milionë eurove nga AKP, pasi tha nuk dihet çfarë dedikimi do të kenë./RTK