Rumania, ilustrim :Pixabay
Partitë pro-europiane shpejt e shpejt lidhin koalicion në Rumani
Partitë pro-europiane kanë arritur një ujdi koalicioni për të formuar shumicën qeverisëse që kthehet në gardiane ndaj së djathtës ekstreme dhe mbështet një kandidat të vetëm të mundshëm për balotazhin e anuluar të zgjedhjeve presidenciale, ka raportuar Reuters.
Socialdemokratët e së majtës në pushtet kanë fituar më së shumti mandate në zgjedhjet parlamentare të 1 dhjetorit, ku tri grupime ultranaionaliste dhe të së djathtës ekstreme me pikëpamje pro-ruse, ia kanë dalë të fitojnë një të tretën e deputetëve.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur ndërmjet dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale në vendin anëtar të NATO-s, ku kritiku i aleancës ushtarake, Calin Georgescu, ia doli të kryesonte në rezultat, megjithëse nuk shihej në sondazhe si favorit.
Kjo nxiti akuza për përzierje të Rusisë në zgjedhjeve, me Gjykatën Kushtetuese rumune që nxori vendimin për anulimin e balotazhit të së premtes dhe njoftoi se do të ketë rinisje të procesit nga fillimi.
Qeveria e re në shtetin anëtar të BE-së do të duhet të merret me përcaktimin e datës së re të zgjedhjeve presidenciale, dhe me gjasë pritet të mbahen në gjysmën e parë të vitit 2025.
Presidenti në largim, Klaus Iohannis, i cili do të mbetet në detyrë deri të zgjidhet i riu, do ta nominojë kryeministrin e ri. Parlamenti aktual i skadon mandati më 21 dhjetor.
Socialdemokratët, partnerët e tyre të koalicionit, Liberalët e qendrës së djathtë, Unioni Shpëtojeni Rumaninë i centristëve në opozitë dhe partia e hungarezëve etnikë janë pajtuar shpejt për formimin e një qeverie pro-perëndimore.
“Në ditët e ardhshme, katër partitë dhe përfaqësuesit e pakicave kombëtare do të punojnë për një program të përbashkët qeverisës bazuar në zhvillim dhe reforma që do të konsiderohen prioritet për qytetarët e Rumanisë”, kanë thënë në një deklaratë të përbashkët anëtarët e koalicionit.
Analistët presin që katër partitë, të cilat shpesh janë përplasur për politika të caktuara, të kenë telashe të pajtohen për masat që duhen për uljen e deficitit më të madh të një vendi anëtar të BE-së me 8 për qind. Ekspertët thonë se për këtë duhen ngritje taksash, gjë që mund të shkaktojë ndasi ndërmjet anëtarëve të koalicionit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com