Përparim Rama, LDK Foto: Facebook

Partitë prej të cilave vijnë drejtorët e Komunës së Prishtinës dhe profesionet e tyre

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka emëruar ekipin e tij të drejtorëve pas më shumë se 1 muaj nga dita që u betua në këtë pozitë.

Nga 16 drejtori sa ka aktualisht Komuna, sot janë emëruar 11 drejtorë, derisa javën e ardhshme ekipi pritet të kompletohet plotësisht.

Më poshtë gjeni emrat që përbëjnë ekipin e tij të drejtorëve:

Alban Zogaj, nënkryetar, vjen nga radhët e LDK-së dhe ka qenë udhëheqësi kryesor i fushatës zgjedhore të Përparim Ramës. Zogaj me profesion është doktor i shkencave ekonomike, një kohë ka ligjëruar në kolegjin ‘Riinvest’. Në vitin 2020, Zogaj mbajti funksionin e shefit të kabinetit të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit.

Arbër Sadiku, drejtor i Urbanizmit, është arkitekt i njohur, ka bërë hulumtime për ndërtesat ikonë të Prishtinës. Sadiku po ashtu ka ushtruar detyrën e ligjëruesit në kolegjin UBT.

Mimoza Sylejmani, drejtoreshë e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, ka qenë pjesë e Kuvendit Komunal si pjesë e PSD-së në mandatin e kaluar, tani pjesë e ekipit të Përparim Ramës. Për disa vite ka punuar në zyrën për rigjenerim urban në Komunë.

Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave vjen nga radhët e LDK-së. Më herët ka qenë i angazhuar në Ministrinë e Infrastrukturës.

Doruntinë Maloku, drejtoreshë e Pronave, është vajza e gazetarit të ndjerë Enver Maloku. Ka qenë edhe deputete në Kuvendin e Kosovës. Maloku vjen nga radhët e LDK-së.

Donat Lushaku, drejtor i Kadastrit, vjen nga radhët e LDK-së. Me profesion është jurist. Më herët ka qenë këshilltar politik në Ministrinë e Bujqësisë si dhe në Burimet njerëzore në Ministrinë e Drejtësisë.

Adelina Sahiti, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale, vjen nga radhët e partisë Lëvizja për Bashkim, më herët ka punuar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe IndeksOnline.

Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë, vjen nga radhët e LDK-së. Sadiku me profesion është infektolog.

Valbona Makolli, drejtoreshë e Financave, ka mbajtur këtë pozitë edhe gjatë mandatit të dytë të Shpend Ahmetit duke e bërë të vetmen që vazhdon pozitën nga qeverisja e kaluar.

Florian Dushi, drejtor i Inspeksionit, është ish-anëtar i KQZ nga radhët e LDK-së.

Donika Çetta, drejtoreshë e Parqeve, është vajza e akademikut e pajtuesit të gjaqeve, Anton Çetta.

Bersant Beka, drejtor i Administratës, po ashtu vjen nga radhët e LDK-së. Më herët ka qenë pjesë e kabinetit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Vllaznim Osmani, shef i kabinetit të kryetarit, ka qenë sekretar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës.