Partitë politike mbyllin fushatën zgjedhore

Partitë politike në Kosovë sonte (08.02.2025) po përmbyllin 30 ditët zyrtare të fushatës për zgjedhjet e rregullta parlamentare të së dielës.

Me pak diferencë në orare, PDK dhe LDK, tubimet përmbyllëse i zhvilluan në sheshet e Prishtinës me 08.02.2025.

AAK-ja tubimin përmbyllës e mbajti në sheshin e qytetit të Pejës po ashtu më 08.02.2025.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje e mbylli fushatën një ditë me herët, më 07.02.2025 në një tubim me qytetarë në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Për dallim nga tubimet përmbyllëse që u mbajtën në sheshe, tubimet tjera gjatë fushatës u mbajtën kryesisht në palestrat sportive, shtëpitë e kulturës, shkollat e objekte tjera.

Gjatë një muaji, subjektet politike përveç se kanë paraqitur para elektoratit të tyre planet për qeverisjen e ardhshme, kanë drejtuar akuza e kundër akuza ndaj njëri-tjetrit.

Fjalimet e mbushura me gjuhë të urrejtjes, me ironi dhe me ofendime të ndërsjella mes liderëve të pozitës dhe opozitës, iu kanë kushtuar partive politike mijëra euro pas vendimeve të PZAP të cilët e kanë gjobitur gjuhen e përdorur.

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka thënë se fushata pavarësisht se është zhvilluar në një mjedis përgjithësisht të qetë, ishte tejet e ashpër në aspektin e diskursit politik si në terren ashtu edhe në hapësirën digjitale.

“Rastet kryesore të incidenteve përfshijnë hedhjen e mjeteve të forta dhe atyre piroteknike në një tubim në Skenderaj, djegien e materialeve propaganduese të kandidatëve, si dhe disa incidente në komunat me shumicë serbe, të tilla si pengimi i aktiviteteve elektorale në Graçanicë, hedhja e një kokteji molotovi mbi një veturë të KQZ-së, si dhe disa incidente të tjera në veri të vendit. Këto raste dhe akte, jo vetëm që kanë rritur tensionet në terren, por gjithashtu kanë ndikuar në perceptimin mbi lirinë e grumbullimit gjatë fushatës”- thuhet në raportin e DnV-së.

Sipas këtyre organizatave, kjo fushatë është karakterizuar me raste të theksuara të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, diskriminuese apo fyese.

Për këto zgjedhje, ashtu siç përcaktohet me Ligjin e ri, nuk do të këtë heshtje zgjedhore 24 orëshe. Sipas nenit 37, “heshtja zgjedhore fillon” nga hapja e Qendrave të Votimit në ora 07:00, e deri në mbylljen e tyre në ora 19:00.

Më 09.02.2025, kosovarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit dhe Qeverinë e re.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.

Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë, më 17.02.2008.