Partitë politike mbyllin fushatën, nesër heshtje zgjedhore

Partitë politike sot edhe zyrtarisht e kanë mbyllur fushatën për zgjedhjet e së dielës.

Të shpërndara në disa qytete të Kosovës, subjektet politike mbajtën tubimet përmbyllëse, duke bërë premtime e duke dhënë zotime.

Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare po mbahen pas dorëheqjes së ish kryeministrit Ramush Haradinaj, me 19 korrik, i cili si arsye për dorëheqje kishte thënë për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë, për tu intervistuar.

Në zgjedhjet e së dielës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të drejtë vote kanë 1 milion e 937 mijë njerëz, kurse buxheti për këto zgjedhje është 5 milion e 698 mijë euro.

Në këto zgjedhje do të garojnë për të hyrë në qeveri 21 subjekte politike, e 685 është numri i kandidatëve për deputet që do të synojnë ta sigurojnë ulësen në Kuvendin e Kosovës.

Në vitin 2017, kur ishin mbajtur zgjedhjet e fundit nacionale, kishin votuar gjithsej 747 mijë 228 njerëz, ku në përqindje i bie 41.30%. Kurse 42 mijë e 554 fletvotime ishin shpallur të pavlefshme, ndërsa 6 mijë 553 ishin të zbrazëta.

Gjatë gjithë ditës së shtunë do të jetë heshtje zgjedhore, deri në orën 7:00 të mëngjesit të së dielës, ku edhe do të hapen dyert e qendrave të votimit, të cilat do të mbyllen në ora 19:00, për të vazhduar pastaj me numërimin e tyre.