Partitë politike mbajnë tubime, shkelin masat qeveritare për mbrojtje nga COVID-19

Shumica e partive politike kanë filluar tubimet elektorale edhe para fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore në komuna të ndryshme të Kosovës.

Në këto tubime, që kryesisht zhvillohen në ambiente të mbyllura, partitë po i shkelin masat e institucioneve për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në fotot e postuara sot nga LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe PDK shihet se në këto takime nuk respektohet as distanca as mbajtja e maskës.

Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës është e ndaluar që të ketë grumbullim të qytetarëve në numër prej më shumë se katër personave në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme.

Edhe pse  vetë e mori këtë vendim, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në tubimet e sotme në Suharekë, Prishtinë e Malishevë, me përkrahësit dhe bashkëpartiakët e tij nuk respektuan masat për mbrojtje nga coronavirusi.

 

 

Edhe kandidati i PDK për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka mbajtur tubim në Klinë dhe nga fotot e postuara shihet se nuk janë respektuar mbajtja e maskave dhe e distancës.

Ndërsa, Sami Lushtaku, i shoqëruar edhe nga zyrtarë e zyrtare të tjerë të PDK-së kanë shkelur në mënyrë flagrante masat kundër coronavirusit, duke mos mbajtur as distancë as maska  në tubimet në oda në fshatra të Drenicës.

 

Edhe AAK ka mbajtur sot një sërë takimesh në Deçan e Pejë.

Daut Haradinaj ka postuar në faqen e tij në Facebook fotografi nga këto takime, ku shihet numër i madh i personave, në kundërshtim me rregullat kundër pandemisë.

 

Kurse, Nisma Socialdemokrate tubimin e sotëm e ka mbajtur në një odë në një fshat të Malishevës.

Kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka postuar fotografi ku shihen dhjetëra persona grumbull, duke mos i zbatuar masat kundër COVID-19.

 

Në anën tjetër, në lidhje me këto tubime sot ka reaguar edhe Shoqata e Gastronomëve duke e vlerësuar këtë veprim si standard të dyfishtë, pasi sipas tyre, qytetarët po gjobiten, ndërsa politikanët jo.

Kurse, Drejtoria e Inspeksionit në Prishtinë sot ka bërë të ditur se do të ketë gjoba deri në 2 mijë euro për partitë që organizojmë tubime në kryeqytet.

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 457 gjoba për qytetarët që nuk kanë respektuar masat për COVID-19.

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, shpalli 14 shkurtin si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Në pandemi, Kosova zhvilloi dy procese të tjera zgjedhore. Ato për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut si dhe për kryetar të Podujevës.

Që nga shfaqja e rastit të parë me COVID-19 në Kosovë, në muajin mars, institucionet kanë vendosur masa parandaluese.

Gjerë më tani, numri i personave të infektuar në Kosovë është rreth 53 mijë, ndërkohë që deri më 8 janar 1.368 pacientë kanë vdekur nga virusi.