Ilustrimi: Kallxo.com

Partitë e mëdha politike kanë shpallur emra të kandidatëve për kryetar të komunave, Vetëvendosje ende asnjë

Partitë politike në Kosovë ka kohë që kanë nisur me publikimin e emrave të kandidatëve për kryetar komunash, për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti, ndërsa anash ka mbetur Lëvizja Vetëvendosje e cila s’ka bërë publik ende asnjë emër për kryekomunar.

PDK, LDK dhe AAK nëpër disa komuna të caktuara, edhe zyrtarisht i kanë dhënë emrat e kandidatëve, ndërsa në subjektin më të madh politik në vend, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se ende janë në proces të shqyrtimit dhe deri më tash përveç disa emrave që janë përfolur, nuk ka asgjë zyrtare.

PDK e ka zyrtarizuar emrin e ish ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, si kandidat për të parin e Prishtinës. Për të njëjtën pozitë AAK-ja ka zyrtarizuar Daut Haradinajn, ndërsa LDK Përparim Ramën.

PDK gjithashtu ka zyrtarizuar edhe Shaqir Totajn kandidat për kryetar të Prizrenit, ndërsa është përfolur që kjo parti do të kandidojë përsëri me Agim Aliun për Ferizajn.

Po ashtu, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka zyrtarizuar disa emra në disa komuna. Ardian Gjini është zyrtarizuar për Gjakovë, Agron Kuqi për Junik, Smajl Latifi për Rahovec, Bashkim Budakova për Lipjan, Hasan Ismajli për Fushë Kosovë e disa emra të tjerë.

Gjithashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar disa emra deri më tani. Lutfi Haziri është zyrtarizuar si kandidat për të parin e Gjilanit, Anton Quni për Prizren, Ilir Ferati për Istog, Burim Krasniqi për Rahovec, Jeton Biqkaj për Kamenicë dhe disa emra të tjerë.

Kurse Lëvizja Vetëvendosje është ende në proces të shqyrtimit të kandidaturave dhe deri më tash nuk është zyrtarizuar asnjë nga kandidatët për garën zgjedhore komunale.

Deputetja Mimoza Kusari – Lila është më përfolura që mund të kandidojë në Gjakovë, por që në një përgjigje për KALLXO.com, ajo ka thënë se ende nuk ka diç konkrete duke shtuar se “deri javën e ardhshme definitivisht do të përcaktohet shumëçka”.

Adnan Rrustemi është njëri nga kandidatët brenda kësaj parie, emri i të cilit është lakuar si mundësi që të kandidoj për kreun e komunës së Lipjanit, por që gjithashtu asgjë nuk është zyrtare.

Në komunën e Pejës janë dy kandidatë brenda partisë LVV që po synojnë kandidaturën

Kryetari i degës së VV-së në Pejë, Bashkim Lajçi për KALLXO.com, ka thënë se Gazmend Agusholli dhe Gëzim Mekuli janë kandidaturat brenda partisë, por që deri më tash s’ka përcaktim përfundimtar.

Ndërsa Partia Socialdemokrate (PSD) ka thënë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, përveç Qendron Kastratit që do të jetë i lirë të kandidojë nëse dëshiron vetë për mandat të dytrë në Kamenicë.

As Nisma Socialdemokrate e drejtuar nga Fatmir Limaj, deri më tash nuk ka zyrtarizuar ndonjë kandidat.

Zgjedhjet lokale janë caktuar të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Fushata zgjedhore për këto zgjedhje do të jetë 30 ditë, ndërsa partitë politike kanë vendosur të garojnë të vetme në zgjedhje, pasi vetëm një koalicion është zyrtarizuar në KQZ, ajo e dy partive politike nga radhët e komunitetit boshnjak, Demokratska Stranka Bosnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin Koalicija VAKAT.

Partitë politike garojnë të vetme në zgjedhje lokale, vetëm një koalicion i deklaruar