Partia Reforme e qendrës së djathtë të Estonisë del e para në zgjedhjet parlamentare

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Partia Reformuese e Estonisë, e udhëhequr nga kryeministrja Kaja Kallas, e ka siguruar vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke marrë rreth 31.4% të votave.

Nëntë parti politike paraqitën kandidatë për parlamentin 101 ulësesh të Estonisë ose Riigikogu. Mbi 900,000 njerëz kishin të drejtë të votonin në zgjedhjet e përgjithshme dhe gati gjysma votuan paraprakisht.

Rezultatet paraprake sugjerojnë se gjashtë parti kaluan pragun e 5% të kërkuar për t’u bërë pjesë e parlamentit, duke përfshirë partinë e sapoformuar Eesti 200, një parti liberale centriste. Pjesëmarrja në votime thuhet se ishte 63.7%.

Me 99% të votave të numëruara EKRE ka dalë në vendin e dytë me 16.1% ndërsa Partia e Qendrës, e favorizuar tradicionalisht nga pakica e konsiderueshme etnike-ruse e Estonisë ka siguruar 15%.

Mbajtja e presionit ndaj Rusisë

Rezultatet fillestare nënkuptojnë se partia ‘Reform Party’ është në një pozicion jashtëzakonisht të fortë për të marrë një rol udhëheqës në formimin e qeverisë së ardhshme të Estonisë; mbështetja e saj përkthehet në 37 ulëse në legjislaturë. Mirëpo, kësaj partie do t’i duhen partnerë të vegjël për ta formuar një koalicion me një shumicë të rehatshme për të qeverisur.

Inflacioni dhe ekonomia

Kallas ishte përballur me një sfidë nga partia populiste e ekstremit të djathtë EKRE, e cila dëshiron ta kufizojë ekspozimin e vendit baltik ndaj krizës në Ukrainë dhe e fajëson qeverinë aktuale për normën e lartë të inflacionit të Estonisë.

Për të qëndruar në pushtet, Reformës do t’i duhet sërish ta krijojë një koalicion me një ose më shumë parti që hynë në parlamentin prej 101 ulësesh të shtetit baltik.

Kallas e ka përjashtuar mundësinë e të qenit në një qeveri me EKRE-në për shkak të dallimeve ideologjike dhe ka të ngjarë t’i drejtohet ish-partnerit të koalicionit, Partisë së Qendrës dhe partnerëve të koalicionit në largim – partia e vogël konservatore Atdheu dhe Social Demokratët – për një pakt.

Kallas u bë kryeministre në vitin 2021 dhe është shfaqur si një nga mbështetëset më të hapura të Evropës ndaj Ukrainës gjatë luftës njëvjeçare.

Si një shtet baltik me 1.3 milionë banorë që kufizohet me Rusinë në lindje, Estonia u shkëput nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991 dhe ka marrë një kurs të qartë perëndimor, duke iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Udhëheqëesi i partisë EKRE Martin Helme e ka fajësuar kryeministren Kallas për normën e inflacionit të vendit prej 18.6%, një nga më të lartat e BE-së, dhe e ka akuzuar atë për minimin e mbrojtjes së Estonisë duke i dhënë armë Ukrainës.

Kallas argumenton se është në interesin e vendit të saj ta ndihmojë Kievin. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës ngjalli frikë në Talin se një fitore ruse mund ta inkurajonte Moskën që ta zhvendoste vëmendjen e saj në vendet e tjera që kontrollonte në kohën sovjetike, duke përfshirë vendet baltike Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Ajo thotë se mbrojtja e Estonisë mbetet e fortë pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s e kanë furnizuar me armë të nivelit të lartë, ti tillë si sistemi raketor HIMARS në Ukrainë dhe gjithashtu në Estoni./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala