Partia Liberale Egjiptiane kërkon anulimin e votave në të gjitha vendbanimet serbe ku nuk jeton komuniteti rom

Partia Liberale Egjiptiane (PLE) e ka konsideruar si të padrejtë heshtjen e institucioneve kompetente shtetërore, subjekteve të mëdha politike, organizatave ndërkombëtare, ambasadave të huaja dhe të një pjese të shoqërisë civile, lidhur me dyshimet e “orkestrimit të votave nga subjekti politik “Lista Serbe” në bashkëveprim me subjektin politik “Romani Iniciativa”.

PLE përmes një komunikate për media ka thënë se mosmarrja parasysh e shqetësimeve të tyre “mbi ndikimin e dhunshëm në vullnetin e votuesve” të subjektit politik “Romani Iniciyativa” nën dirigjimin e Listës Serbe rezulton negativisht dhe drejtpërdrejt në mbarëvajtjen demokratike të zgjedhjeve dhe sipas tyre edhe mund të dëmtojë seriozisht tërë procesin zgjedhor në Kosovë.

Gjithashtu, PLE ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë anulimin e votave në të gjitha vendbanimet serbe në të cilat nuk jeton komuniteti rom.

“Kosova ka qenë shembull i organizimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve në të gjitha nivelet në Kosovë dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme në arritjen e objektivave për integrime evropiane, ndikimet e tilla të drejtpërdrejta në vullnetin e votuesve nga subjekti politik “Romani Iniciyativa” përmes “Listës Serbe” është shembulli më i keq dhe pengesë në arritjen e këtyre objektivave”, thuhet në reagim.

Më tej kjo parti u ka bërë thirrje të gjitha mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë që në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre të reagojnë urgjentisht në mënyrë që “të vendoset drejtë manifestimi i vullnetit të lirë të votuesve si dhe të evitohet dëmtimi i mundshëm i vet procesit zgjedhor në përgjithësi”.

KALLXO.com raportoi sot se organizata joqeveritare të komunitetit boshnjak të Kosovës kanë reaguar pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas këtyre organizatave po bëhen përpjekje që të uzurpohen vendet e garantuara për boshnjakët dhe komunitetet e tjera joshumicë në Kuvendin e Kosovës.