(Arkiv) Foto: ZKM
Partia e Serbëve të Kosovës reagon ndaj veprimit të Dalibor Jevtiqit, i cili pretendohet se përzuri një gazetar nga salla e Komunës
Partia e Serbëve të Kosovës ka reaguar ndaj veprimit të kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili pretendohet se nuk e ka lejuar gazetarin e “Radio Borzani”, Sasha Iliq, ta përcjellë një takim më 31.07.2024 në sallën e Komunës.
Kjo parti, veprimin e Jevtiqit e ka quajtur të papranueshëm.
“Shqetësim i veçantë shkakton (fakti) që këtë veprim ndaj një gazetari e ka kryer nënkryetari i Listës Serbe dhe kryetari i Komunës së Shtërpcës” – thuhet në reagim.
Tutje thuhet se “Radio Borzani” gjithmonë ka informuar publikun për problemet e serbëve.
Lidhur me këtë rast, portali “Kossev” raporton se pretendimi i Komunës është se “Iliq nuk është gazetar, por një person i cili ka kohë që ka filmuar pa autorizim”.
Madje, “Kossev” raportoi se Komuna ka thënë se gazetari në fjalë është raportuar në Policinë e Kosovës për zbulim të paautorizuar të të dhënave personale.
Tutje në raportim është thënë se kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka organizuar një takim me banorët e fshatrave Biti e Epërme dhe Biti e Poshtme.
Në raportim thuhet se Komuna se nuk bëri të ditur arsyen e takimit, kurse faqja në Instagram e “Radio Borzani” raportoi se bëhej fjalë për problemin e furnizimit me ujë, me të cilin banorët po përballen prej kohësh.
Gazetari Iliq dha një prononcim për “Kossev”, me ç’rast tregoi se është prezantuar si gazetar i “Radio Borzani”.
“Kur kryetari më tha se nuk jam gazetar, atëherë i thash se mund të merrja pjesë në takim edhe si person privat, për çka ai reagoi menjëherë dhe tha se takimi nuk mund të fillojë derisa të dilja unë nga salla” – citohet të ketë thënë Iliq sipas “Kossev”.
Gazetari i “Radio Borzani” pretendon se kryetari i Shtërpcës e përzuri nga salla e Komunës