Kamerat e vendosura në Komunën e Leposaviqit, Foto: Partia e Serbëve të Kosovës/Facebook

Partia e ish ministrit Jabllanoviq, akuzon Listën Serbe se po përgjon qytetarët duke u vendosur kamera në qytet - FOTO

Partia e Serbëve në Kosovë, drejtues i së cilës është ish ministri Aleksandar Jabllanoviq, po pretendon se në zonën e Leposaviqit, një parti e re e lidhur me Listën Serbe ka vendosur kamera në mënyrë ilegale.

Këto kamera sipas drejtuesit të Partisë së Serbëve të Kosovës, Jabllanoviq, përveç që xhirojnë pamje mund të marrin edhe zërin se çka bisedohet në qytet.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Jabllanoviq thotë se fillimisht duhet të hetohet se si një subjekt politik siç është Partia Progresive Serbe ka mjete të tilla të vëzhgimit.

“Po ju shpjegon në mënyrë të hapur, ato janë kamera shumë të shtrenjta, dhe nëse një parti politike ka teknikë të tillë në inventarin e tyre, ai duhet të lajmërohet në KQZ. Të arsyetohet se ku janë ble, ku janë marrë paratë për çka janë blerë. Ato janë kamera që xhirojnë edhe zërin edhe video. Ju ecni rrugës dhe ata mund të ju dëgjojnë dhe rekordojnë se çka flisni”, thotë Jabllanoviq për KALLXO.com.

Tutje ai shton se Partia Progresive Serbe përbëhet nga njerëz të njëjtë të Listës Serbe.

“Normal që Komuna e Leposaviqit, e ka idenë që këto kamera janë vendosur nga punëtori i kompanisë së telefonisë serbe dhe nga dy aktivistët e Partisë Progresive Serbe. Këta janë njerëz të njëjtë, këta janë Lista Serbe”, thotë tutje Jabllanoviq.

Ai thotë se rastin nuk e ka lajmëruar në polici për shkak të neglizhencës së tyre në disa raste të tjera që Jabllanoviq i kishte raportuar gjatë kohës së zgjedhjeve.

“Jo, a e dini pse, sepse më herët kur kemi pasur kërcënime gjuajtje me armë në selinë e partisë, me kërcënime gjatë fushatës, e kanë rreh shoferin tim dy herë, policia kurrë në asnjë rast nuk ka ndërmarrë asgjë, në asnjë prej raportimeve tona. Me lajmëru diçka në policinë në Veri është humbje kohe. Kamerat janë vendosur jashtë ligjit”, tregon Jabllanoviq.

Ditë më parë, Partia e Serbëve të Kosovës, me anë të një postimi në Facebook ka ngritur alarmin për këto kamera të cilët monitorojnë dhe vëzhgojnë qytetarët në Komunën e Leposaviqit.

“Kjo përpjekje për xhirim dhe vëzhgim të qytetarëve dhe automjeteve në qendër të Leposaviqit, nuk mund të kalojë pa reagimin e Partisë së Serbëve të Kosovës. Në afatin më të shkurtër të mundshëm, për hir të qytetarëve tonë dhe mbrojtjes së privatësisë së tyre, ne do t’u drejtohemi institucioneve relevante, prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për instalimin e këtyre kamerave ilegale por edhe kundër personave që kanë mundësuar këtë gjë”, thuhet në njoftimin e Partisë së Serbëve të Kosovë.

Në lidhje me këto akuza të Jabllanoviq, KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

I njëjti mohoi se është në dijeni për vendosjen e kamerave të vëzhgimit.

“Jo nuk kam dëgjuar, as nuk kam njohuri, nuk e di as për çka po flisni, nuk kam asnjë njohuri”, tha shkurt Rakiq, ndërsa ndali telefonin duke mos dashur që të përgjigjet tutje për akuzat nga ana e Jabllanoviq.

Për të gjitha këto pretendime, KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla si dhe nga Policia e Kosovës.

Deri në publikim të këtij arikulli të njëjtit nuk kanë kthyer asnje përgjigje.