Aleksandar Arsenijeviq duke u rezistuar policëve që e shoqëruan në stacion policor, më 02.10.2024.

Partia Demokracia Serbe paralajmëron protestë para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut

Partia Demokracia Serbe ka palajmëruar mbajtjen e një proteste për nesër, më 10.10.2024, në ora 10:00, para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut me kërkesë lirimin e politikanit Aleksandar Arsenijeviq, i cili u ndalua për 48 orë nga Policia e Kosovës më 09.10.2024.

“Ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Aleksandar Arsenijeviqit. Protesta nuk është partiake, por qytetare”- thuhet në njoftim.

Partia në fjalë u bën thirrje ndërkombëtarëve të marrin masa për raste të tilla.

“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëhet serioz dhe të parandalojë represionin e mëtejshëm policor nga Qeveria e Kosovës dhe policia kundër serbëve në Kosovë”- thuhet në njoftim.

Politikani serb i partisë Demokracia serbe, Aleksandar Arsenijeviq, është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës si i dyshuar për veprën penale – ngacmim.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili tha se Arsenijeviq e ka ngacmuar shefin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Sylën, duke i fishkëllyer.

“Policia konfirmon se në bazë të kërkesës nga prokurori, është intervistuar Aleksandar Arsenijeviq dhe i njëjti pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje 48 orë për veprën ngacmim”- tha Elshani për KALLXO.com.

Ndryshe, KALLXO.com raportoi më 02.10.2024 se Arsenijeviq dhe një qytetar tjetër janë shoqëruar në Polici në Mitrovicë të Veriut, pasi që fishkëllyen në drejtim të kryetarit të Komunës, Erden Atiq.

Arsenijeviq dhe qytetari tjetër filluan të fishkëllejnë pasi që Erden Atiq po ecte drejt sheshit “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut.

Kryetari Atiq kishte dalë për të vizituar aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, ku ishte vendosur një mamograf mobil.

Arsenijeviq ishte arrestuar edhe më 10.09.2024 për të njëjtën arsye, pasi që kishte fishkëlluar gjatë një vizite në veri të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.