Ilustrim

Parregullsitë në zgjedhje, arrestohen 14 persona

Prokuroria ka njoftuar që deri në ora 22:50 në tërë territorin e Republikës së Kosovës lidhur me procesin zgjedhor janë regjistruar gjashtë raste me katërmbëdhjetë persona, prej tyre trembëdhjetë  persona janë të ndaluar.

Në komunën e Kllokotit janë arrestuar katër persona të dyshuar për veprat penale – cenim i përcaktimit të lirë të votuesve dhe – dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin.

Në komunën e Suharekës është ndaluar një person për veprën penale – pengimi i procesit të votimit.

Në Komunën e Malishevës janë ndaluar tre persona, në dy raste të ndara, ku dy persona janë për veprat penale – dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin dhe një person për veprën penale – pengimi i procesit të votimit.

Në komunën e Skenderajt fillimisht janë ndaluar tre persona, ndërkaq njëri nga ta pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të tjerët vazhdojnë të mbahen në ndalim, me dyshimin se kanë kryer veprën penale – cenim i fshehtësisë së votimit. 

Në komunën e Fushë-Kosovës janë ndaluar tre persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale – falsifikimi i rezultateve të votimit.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se do të vazhdojë të përcjellë procesin zgjedhor deri në numërimin përfundimtarë të të gjitha votave.