Presidenti shqiptar, Ilir Meta - Foto: REL/Reuters

Parlamenti voton pro shkarkimit të Presidentit Ilir Meta

Shumica parlamentare ka votuar pro shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Në votim kanë marrë pjesë 115 deputetë, pasi nga 122 deputetë kanë munguar shtatë prej tyre. Nga këta 105 pesë deputetë votuan pro, 7 deputetë kundër dhe 3 abstenim.

Pak më herët me 104 vota pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 fletë votimi që ishte e pavlefshme, Parlamenti miratoi raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor, raporton Top Channel.

Plot 16 shkelje kushtetute i gjeti komisioni hetimor presidentit Ilir Meta, duke i propozuar parlamentit shkarkimin.

Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fusharë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

Në Kushtetutën e Shqipërisë është e përcaktuar që pasë shkarkimit të presidentit nga ana e Parlamentit, ai vendim i shkon Gjykatës Kushtetuese e cila vërteton fajësinë apo jo të presidentit.

  1. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
  2. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra./TopChannel