Parlamenti studentor kundër mbylljes së Qendrës së Studentëve

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka dalë kundër mbylljes së Qendrës së Studentëve, masë kjo e cila do të vendoset nga e mërkura, pas vendimit të Qeverisë  në kuadër të masave kundër COVID- 19.

“Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, mësimi në institucionet Universitare do të mbahet tërësisht në formë online që nga data 6 deri më 18 prill. Në vendimin për masat e reja kundër COVID-19, është vendosur gjithashtu që të pezullohen konviktet dhe menza e studentëve, vendim për të cilin Parlamenti Studentor është kategorikisht kundër”, thuhet në reagim.

Parlamenti Studentor ka dalë kundër mbylljes së konvikteve pasi që konsideron se qëndrimi i vetëm një studenti në dhomë nuk sjell rrezikshmëri të madhe.

“Parlamenti Studentor është kundër mbylljes së konvikteve, sepse ne konsiderojmë se qëndrimi i vetëm një studenti në dhomë nuk sjellë rrezikshmëri të madhe, ndërkaq studentët mund të ushqehen me opsionin “merr me vete”, thuhet në reagim.

Parlamenti Studentor në reagim thotë se duke pasur parasysh edhe përvojat jo të mira nga viti i kaluar konsideron se mbyllja e konvikteve nuk është e nevojshme.

“Institucionet përgjegjëse nuk janë konsultuar fare me përfaqësuesit e studentëve dhe Qendrën e Studentëve, gjë që do të duhej bërë për të marrur vendime të tilla”, thuhet në reagim.

Sot, Qeveria e Kosovës miratoi 46 pika me masa të ndryshme në lidhje me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Këto masa erdhën si pasojë e rritjes së numrit të rasteve pozitive si dhe vdekjeve të cilat u regjistruan gjatë ditëve të fundit si pasojë e coronavirusit.

Të gjitha masat e miratuara të Qeverisë kundër COVID-19