Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Parlamenti Studentor i UP-së fton studentët për bojkot të mësimit, shkak afatet e nëntorit dhe prillit

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës i ka bërë thirrje studentëve të UP-së që ta bojkotojnë mësimin deri në korrigjimin e një vendimi të rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu në lidhje me kërkesën e tyre për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve.

Përmes një njoftimi në Facebook, Parlamenti Studentor i UP-së ka publikuar një kërkesë të datës 06.11.2024, të cilën e kanë adresuar në Rektorat të UP-së, e në të cilën kanë renditur arsyet e tyre për mbajtjen e provimeve shtesë – Afatin e Nëntorit dhe Prillit.

Sipas Parlamentit Studentor, ata kanë pranuar sot një vendim të nënshkruar nga rektori Hajrullahu për emërimin e Komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës që kanë parashtruar për mbajtjen e afateve shtesë.

Për dallim nga vitet tjera akademike kur janë mbajtur afatet shtesë të provimeve, në Statutin e ri të UP-së, mbajtja e afateve shtesë të provimeve nuk përmendet.

Nga Parlamenti Studentor i UP-së pretendojnë se në vendimin e rektorit Hajrullahu për kërkesën e tyre që të mbahen afatet shtesë është përmendur kërkesa vetëm për një afat shtesë.

Me këtë rast, ata kanë përmendur edhe diskutimin, i cili u bë në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 30.10.2024 për kërkesën e tyre që të mbahen afatet shtesë të provimeve.

“Shprehim shqetësimet tona lidhur me ndryshimin e pikës mbi afatet shtesë të votuara në mbledhjen e kaluar të Senatit me datë 30.10.2024. Votimi ka qenë për kërkesën për afatet shtesë dhe jo sikur në vendimin që pranuam sot ku Rektori emëroi Komisionin për cështjen e vlerësimit të vazhdueshëm dhe kërkesën për një afat shtesë. Ne si Parlament Studentor në mënyrë kategorike kundërshtojmë këtë vendim” – thuhet në njoftimin e Parlamentit Studentor të UP-së, më 06.11.2024.

Ata kërkojnë korrigjimin e pikës së vendimit të rektorit Hajrullahu që kanë përmendur, nga “një afat shtesë” në “diskutimet mbi afatet shtesë (afati i Nëntorit dhe i prillit).

“Andaj, Parlamenti Studentor ju bënë thirrje për bojkot të mësimit të gjithë studentëve deri në korrigjim të pikës së lartcekur, në rast se nuk pranojmë përgjigje për këtë cështje deri në mbledhjen e Komisionit (ditë e Premte, 8 nëntor), java e ardhshme do të na gjejë me protesta masovike në hapësirat e UP-së!” – kanë paralajmëruar Parlamenti Studentor.

KALLXO.com e ka pyetur Universitetin e Prishtinës për thirrjen ndaj studentëve për bojkotimin e mësimit në UP të bërë nga Parlamenti Studentor dhe është në pritje të përgjigjeve.