Studentët e mbledhur para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina"
Parlamenti Studentor bllokoi hyrjen e Rektoratit të UP-së
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot në mëngjes ka bllokuar hyrjen e objektit të Rektoratit të UP-së.
Arsyeja e këtij bllokimi sipas studentëve, është kundërshtimi apo shkarkimi i Bordit Drejtues dhe menaxhmentit të UP-së për shkak të politizimit të tyre, gjendja e keqe infrastrukturore e fakulteteve, mungesa e literaturës, mosakreditimi i programeve, certifikatat nga kurset private për nivelin A2 në një gjuhë të huaj për studentët që duan të regjistrojnë studimet Master apo Doktoratë.
Grupi i studentëve nga Parlamenti Studentor, kërkonte që UP të mbështesë botimin e librave nga ana e profesorëve, qoftë edhe me libra elektronikë, si dhe themelimin e një shtëpie botuese.
U kërkua edhe që studentëve t’u mundësohet puna praktike në universitet apo në institucione të tjera shtetërore dhe private, si dhe shfuqizimi i vendimit të Senatit, i cili obligon studentët e nivelit Master dhe Doktoratë që të dëshmojnë se kanë njohuri të nivelit A2, në një gjuhë të huaj.
Sipas tyre, plotësimi i këtyre kërkesave nga ana e UP-së do të motivonte studentët që të vijojnë studimet.
Prorektori për kërkime shkencore, Faton Berisha ka thënë se sot një grup i vogël studentësh, kanë zënë për një kohë të shkurtër hyrjen në Rektorat.
Ai deklaroi se mendon që ky grup studentësh nuk kishte ‘qëllime krejt studentore’.
“Kërkesat studentore janë legjitime por ata kanë organizatat studentore dhe përfaqësuesit e tyre janë edhe në senat, që është organi më i lartë akademik edhe aty është vendi për t’i bërë kërkesat. Kam frikë se mënyra e tillë është kundra produktive dhe pikërisht ky është politizimi. Studentët po e bëjnë atë kundër të cilës po prononcohen”, ka thënë Berisha.
Tutje prorektori theksoi se kërkesa për shfuqizimin e vendimit me të cilin të rinjtë obligohen që të dëshmojnë se kanë njohuri të një gjuhe të huaj, nuk është mirë e adresuar.
“Kjo është e rregulluar me një udhëzim administrativ, që ka ardhur nga kryeministri. Pra është udhëzim i qeverisë dhe nuk është fare diçka që është rregulluar në nivel të universitetit. Gjithashtu është udhëzim që do të vlejë për të gjitha universitetet”, ka shtuar Berisha.