Parlamenti skocez aprovon produkte sanitare falas për të gjitha gratë

Parlamenti skocez mori vendim që të bëjë falas të gjitha produktet sanitare për të gjitha gratë duke u bërë kështu kombi i parë në botë që e bëri këtë, shkruan Reuters.

Legjislacioni do të bëjë që tamponat dhe pecetat higjienike të jenë në dispozicion në vendet e caktuara publike, siç janë qendrat e komunitetit, klubet e të rinjve dhe farmacitë, me një kosto vjetore të vlerësuar prej 24.1 milion paund (31.2 milion dollarë).

Ligjin për Produktet Periodike, parlamenti i Skocisë e miratoi në fazën e parë me 112 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim. Tani kur kalon në fazën e dytë, anëtarët e parlamentit skocez mund të propozojnë ndryshime.

Gjatë debatit, propozuesja e projektligjit Monica Lennon tha që kalimi i tij do të ishte një “moment për normalizimin e menstruacioneve në Skoci dhe dërgimin e këtij sinjali të vërtetë për njerëzit në këtë vend se sa seriozisht parlamenti merr barazinë gjinore.”

Ligjvënësi tjetër Alison Johnstone pyeti: “Pse në vitin 2020 letra higjienike shihet si një domosdoshmëri, por produktet e menstruacioneve nuk janë? Të penalizohesh financiarisht për një funksion natyror trupor nuk është e drejtë”.

Në 2018, Skocia u bë vendi i parë në botë që siguroi produkte sanitare falas në shkolla, kolegje dhe universitete.

Produktet sanitare në Mbretërinë e Bashkuar aktualisht tatohen me 5%. Qeveria e ish kryeministrit David Cameron tha se dëshironte t’i jepte fund “taksës së tamponit”, por që duart e tij ishin të lidhura nga rregullat e Bashkimit Evropian, të cilat përcaktonin tarifat e taksave për disa produkte.

Qeveria njoftoi se do të heqë taksën në vitin 2016, por kjo nuk ka ndodhur ende.