Tripoli. Fotografi ilustruese.

Parlamenti i Libisë voton kundër marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak me Turqinë

 

Parlamenti i Libisë në mënyrë unanime ka votuar kundër marrëveshjeve për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe atij detar me Turqinë, vetëm pak ditë pasi ligjvënësit turq miratuan dërgimin e trupave në Libi.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Fayez Serraj, kryetari i Qeverisë libiane në Tripoli, që mbështetet nga Kombet e Bashkuara, nënshkruan marrëveshjet gjatë një takimi në Stamboll në muajin nëntor, raporton REL.

Por, parlamenti, që mbështetë administratën tjetër që gjendet në lindje të Libisë, refuzoi marrëveshjet për bashkëpunimin ushtarak dhe detar.

Parlamenti i Libisë po ashtu në mënyrë unanime votoi për ndërprerjen e marrëdhënieve me Turqinë dhe thanë se Serraj ka kryer “tradhti” ndaj vendit, pasi sipas kryeparlamentarit Abdullah Bleihaq, ai ka kërkuar ndihmë ushtarake nga një vend i huaj, raporton Dpa.

Ditë më parë, Parlamenti i Turqisë miratoi një mocion, që lejojë intervenimin ushtarak në Libi, duke miratuar dërgimin e trupave në këtë shtet, që është në një luftë civile.

Ende nuk është e qartë nëse administrata e Serraj do të respektojë këtë vendim të Parlamentit libian.

Në Libi po zhvillohet konflikt i armatosur që prej se më 2011 u rrëzua nga pushteti dhe më pas u vra diktatori Moamer Gaddafi.

Në këtë shtet janë dy qeveri, ajo e Serraj, që njihet ndërkombëtarisht dhe qeveria në lindje të vendit, që udhëhiqet nga komandanti Khalifa Haftar.