Parlamenti Evropian. Foto: Wikimedia.

Parlamenti Evropian kërkon ndaljen e negociatave për Serbinë dhe liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për harmonizimin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian në të cilin shprehet keqardhje për mosvendosjen e sanksioneve për Rusinë nga ana e Serbisë, duke kërkuar kështu pezullimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Përmes kësaj rezolute, Parlamenti Evropian kërkon që kapitujt e mëtutjeshëm të negociatave të hapen vetëm atëherë kur Serbia t’i përmbahet zotimeve për reformë në demokraci, sundim të ligjit dhe të harmonizojë plotësisht politikën e jashtme me të BE-së.

“Shpreh keqardhjen e vazhdueshme të nivelit të ulët të harmonizimit të Serbisë me CFSP-në (Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë) veçanërisht në lidhje me luftën e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës; rithekson qëndrimin e saj se kapitujt e mëtejshëm të negociatave duhet të hapen vetëm kur Serbia të forcojë angazhimin e saj për reforma në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe të demonstrojë përafrim të plotë me CFSP” – thuhet në rezolutë.

Poashtu në këtë rezolutë, Parlamenti Evropian përsërit mbështetjen për të ardhmen evropiane dhe pranimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor si anëtarë të plotë të familjes së BE-së, duke i bërë thirrje shteteve anëtare të ripërtërijnë përkushtimin e tyre ndaj zgjerimit duke përmbushur zotimet e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor,

“Në veçanti duke hequr menjëherë kërkesat e vizave për qytetarët e Kosovës; bën thirrje që Bosnje-Hercegovinës t’i jepet statusi i kandidatit dhe të shmangen paqartësitë e panevojshme në këtë proces; nënvizon rëndësinë e integrimit evropian të këtyre shteteve partnere për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit evropian në tërësi” – thuhet në rezolutë.

Kosova është i vetmi vend të rajon e cila ende ka regjimin e vizave. Koha për të cilën është thënë se do të bëhet liberalizimi i vizave është 1 janari i vitit 2024.

Shënim: Titulli ia artikullit është edituar. Titulli “Parlamenti Evropian kërkon ndaljen e negociatave për Serbinë dhe vizat për Kosovën”, është zëvendësuar me këtë titull “Parlamenti Evropian kërkon ndaljen e negociatave për Serbinë dhe liberalizimin e vizave për Kosovën