Foto: Parku Nacional "Sharri"
Parku Nacional “Sharri” thirrje publike për shuarjen e zjarrit: Situatë alarmante
Parku Nacional “Sharri” ka bërë thirrje publike për ndihmë në shuarjen e zjarrit në pyjet e rrobullit në Oshlak, duke e konsideruar atë situatë alarmante.
“Për shkak të konfiguracionit të terrenit me rrezikshmëri të lartë, në pamundësi të intervenimit nga toka, ftojmë të gjitha institucione si KFOR, FSK dhe institucione relevante për intervenim nga ajri me helikopter dhe të ngjashme” – thuhet në thirrjen e Parkut.
Në të kundërtën, ky Park Nacional thotë se gjendja me zjarret po merr përmasa katastrofale dhe me rrezikshmëri të lartë.
Rreth dy javë më parë, më 28.07.2024 Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) ka thënë se nuk ka rrezik në nivel vendi sa i përket zjarreve.
AME tha se gjatë qershorit dhe korrikut përveç rasteve të izoluara në zjarre të hapura fushore dhe malore të menaxhuara nga kapaciteti i komunave, nuk është paraqitur rrezik në nivel vendi.