Parku Kombëtar i mbushur me ndërtime pa leje

Fatmir Morina, drejtor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, deklaroi se sipas matjeve të bëra në Grykë të Rugovës për ndërtimet pa leje kanë rezultuar se vetëm shtatë nga 2807 kanë leje ndërtimi.

“Në vitin 2014 kemi bërë disa inspektime për ndërtimet pa leje dhe sipas evidentimeve tona janë 2807 objekte pa leje që i kemi gjetur brenda territorit të Parkut Kombëtar dhe prej tyre vetëm shtatë kanë pasur leje, organet menaxhuese para nesh po ashtu kanë punuar pa dhënie asnjë leje. Ngjajshëm edhe në kohën tonë më intensitet më të vogël ndërsa viteve të fundit është rritur puna”, tha Morina në DebatPernime, ku është duke u diskutuar për mbrojtjen e mjedisit të organizuar në qytetin e Pejës.

Ai shtoi se si drejtori janë duke punuar në rregullimin e politikave për menaxhimin e Parkut Kombëtar.

“Pas vitit 2013 të gjitha objektet e ndërtuara nuk kanë leje, këto objekte asnjëra nuk kanë kanalizime, por ne jemi duke punuar në këtë drejtim me përgatitjen e planit menaxhues të Parkut Kombëtar dhe gjithashtu jemi duke përgatitur edhe dy plane rregullative në Bogë dhe në gropën e Erenikut, të gjitha janë dokumente në diskutime publike dhe nuk mund të kalojnë si të tilla pa kaluar plani hapësinor i Parkut Kombëtar, e cila varet prej nivelit qendror”, u deklarua ai.