Parkingu nëntokësor pritet të hapet në fund të nëntorit

Projekti i nisur dy vite më parë për ndërtimin e parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik i UP-së në kryeqytet, pritet të hapet në fund të muajit nëntor.

Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

“Parkingu nëntokësor përballë Katedrales do të hapet në fund të nëntorit” – ka shkruar Zogaj në rrjetin social Twitter.

Afati për përfundimin e punëve në Parkingun Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në kryeqytet ka qenë muaji gusht.

Por, Komuna e Prishtinës i ka dhënë afat shtesë edhe tre muaj kompanisë që është duke kryer punimet pas kërkesës së kësaj të fundit.

Kompania ‘Parking Center’ e cila po kryen punimet në këtë projekt është përballur me zvarritje të vazhdueshme në finalizim të këtij projekti.

Punimet fillimisht ka qenë në plan të përfundojnë në maj të këtij viti pastaj u shtynë deri në gusht, por kompania ka kërkuar nga komuna zgjatje të afatit, brenda kornizës së kontratës.

Në vjeshtën e vonë të vitit 2020, kishin filluar punimet për ndërtimin e projektit të “Parkingun Nëntokësor tek Fakultetit Filologjik në Prishtinë”.

Sipas të dhënave, ky parking pritet të ketë kapacitet deri në 700 vende për vetura, ndërsa, kostoja e punëve për këtë projekt pritet të shkojë deri në 15 milionë euro.

Hapësira publike mbi parking përfshin 13 mijë e 990 metra katrorë dhe pritet të ketë: Hapësirë për pushim, hapësirë komerciale, lojë dhe rekreacion, hapësirë për këmbësorë dhe biçikleta, hapësirë edukative dhe për aktivitete kulturore, dhe mbjellja e 150 trungjeve të reja.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me punimet në këtë projekt.

Më poshtë gjeni disa pamje si pritet të duket parkingu dhe hapësira publike: