Foto: REL/AFP

Paris, rikthehen gjurmët e COVID-19 në sistemin e ujërave të zeza

Gjurmët e Covid-19 po monitorohen në ujërat e zeza në Paris që shkencëtarët francezë shpresojnë se do të ndihmojnë në gjurmimin e evolucionit të përhapjes së virusit. Mostrat e marra nga sistemi i ujrave të zeza në Paris tregojnë për një rikthim të koronavirusit, që ishte zhdukur pas vendosjes së masave kufizuese në Francë.

Në një impiant në periferi të qytetit, ujërat e zeza të rreth 350,000 banorëve në lindje të Parisit pastrohen.

Punonjësit e këtij impianti rregullisht marrin mostra nga ujërat e zeza dhe më pas i dërgojnë për analiza të hollësishme në një laborator të qytetit.

Pas shpërthimt të koronavirusit në Francë, kompania që merret me shpërndarjen e ujit në Paris, Eau de Paris filloi të monitoronte ujin në zona të ndryshme për të parë nëse ka gjurmë të Covid-19.

“Pasi të nxjerrim gjenomin e të gjithë mikroorganizmave që janë në këtë kampion, do të shikojmë posaçërisht për gjurmë të Covid-19”, thotë Sebastian Wurtzer, studiues i sëmundjeve infektive.

Mostrat e marra kohët e fundit nga sistemi i ujërave të zeza në Paris tregojnë se gjurmët e COVID-19, që ishin zhdukur nga ujërat e zeza kur Franca vendosi masat e forta kufizuese, tani po rikthehen, thotë një shkencëtar që po studion mostrat.

Laurent Moulin, i cili drejton laboratorin hulumtues të sistemit ujor të Parisit, paralajmëroi se gjetjet më vete nuk nënkutpojnë një ringjallje e virusit në popullatë.

Por ai tha se provat që ekipi i tij ka mbledhur nga sistemi i kanalizimeve ofrojnë të dhëna për modelet që janë duke u përdorur për të analizuar përparimin e virusit.

“Që nga fundi i qershorit, në disa zona që në të kaluarën kanë rezultuar negative, ne kemi parë një rikthim të gjurmëve të koronavirusit”, tha ai.

Në mostrat e ujërave të zeza kemi diktuar gjenome të koronavirusit, të cilat mund të jenë lëshuar nga njerëzit edhe nëse ata nuk janë të sëmurë. Pra, kjo në vetvete nuk është një tregues i saktë i nivelit të infektimit të popullatës nga sëmundja.

“Ky është një tregues shtesë për autoritetet shëndetësore që vëzhgojnë numrin e personave të shtruar në spitale, numrin e thirrjeve për shërbime shëndetësore urgjente dhe numrin e testeve pozitive të koronavirusit në laboratorët mjekësorë. Pra, kjo u ofron atyre një tregues tjetër, nivelin e përqendrimit të virusit në ujërat e zeza. Pra, për ata ky është një parametër shtesë”, tha zoti Moulin.

Zyrtarët francezë këtë javë përshpejtuan planet për ta bërë të detyrueshme përdorimin e maskave në hapësirat publike të mbyllura pasi pati një seri shpërthimesh të lokalizuara të koronavirusit, që deri më sot ka shkaktuar vdekjen e mbi 30,000 njerëzve në Francë./VOA