“Parimet për Ballafaqimin me të Kaluarën”, aksioni rrugor i të rinjve në Prizren

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), sot në Prizren mbajti aktivitetin me moton “Parimet për Ballafaqimin me të Kaluarën”.

Aksioni i sotëm rrugor, i cili u organizua në kuadër të bashkëpunimit me organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushave përkatëse, kanë shënuar dhjetë parime përmes të cilave synojnë të informojnë dhe udhëzojnë akterët politikë dhe publik, se si t’i trajtojnë viktimat, të mbijetuarit/at, të kaluarën e dhimbshme dhe narrativat historike.

Njëra nga anëtaret e kësaj organizate, Rina Kadiri e cila njëkohësisht është edhe menaxhere e programit, për KALLXO.com tha se ky aksion rrugor ka për qëllim t’i promovoj parimet për të kaluarën tonë.

“Dhjetë parimet janë të shënuara në tre gjuhë të cilat në mënyrë të veçantë duhet t’ shërbejnë politikëbërësve. Aksione të tilla rrugore, e që ky është i treti me radhë, kanë për qëllim informimin e qytetarëve ndaj të kaluarës”, tha Kadiri.

Aktivistë të kësaj organizate në “Sheshin e Lidhjes”, në Prizren kanë vendosur edhe instalacionin prej xhami me mbishkrimin e parimeve.

Ky organizim tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve në Prizren të cilët përveç informimit, patën rastin të pajisen edhe me fletore dhe bluza me mbishkrim të “Parimeve për Ballafaqimin me të Kaluarën”.