Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri duke festuar me shqiponjë pas golave Foto:Laurent Gillieron/EPA

Paratë që u mblodhën për shqiponjën e Xhakës e Shaqirit, dërgohen në Shqipëri

Festimi me shqiponjë në kampionatin e fundit botërorë të dy futbollistëve zviceran me origjinë shqiptare, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri kishte marrë vëmendjen e gjithë botës.

Shumë kush e pa si festim, e disa të tjerë edhe si provokim. FIFA kishte dënuar Xhakën dhe Shaqirin për provokim.

Shqiptarët në atë kohë ishin mobilizuar dhe kishin mbledhur të holla, me idenë për të paguar dënimet e Xhakës dhe Shaqirit. Këto mjete nuk u pranuan nga Federata e Futbollit Zviceran.

Sot, 1 vit e gjysmë më vonë, këto para do të shfrytëzohen për ndihmën e qytetarëve shqiptarë të prekur nga tërmeti i fundit në Shqipëri.

Rilind Reka, njëri nga iniciatorët e mbledhjes së fondeve për të paguar dënimin e Xhakës e Shaqirit, ka njoftuar se këto para do të transferohen për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

“Duke ju bashkangjitur ndihmave për tërmetin në rajonin e Durrësit, kam autorizuar donacion prej $10,000 nga kontoja e fondit Xhaka, Shaqiri për simbolin e Flamurit”, ka shkruar Rilind Reka në Facebook.

Si pasojë e tërmetit në Shqipëri deri më tani është njoftuar se kanë vdekur 49 persona dhe shumë të tjerë janë lënduar.