Monedha Euro - Foto: Facebook

Paratë 100 dhe 2 euroshe më të falsifikuarat në Kosovë, eksperti tregon si t’i vëreni ato

Numri rasteve të parave të falsifikuara të cilat qarkullojnë në tregun e Kosovës po shënon rritje dhe në këtë drejtim prijnë kartëmonedhat në vlerë 100 euro dhe monedhat 2 euroshe.

Këtë e ka bërë të ditur Agjencia e Kosovës për Forenzikë, zëvendësdrejtori i së cilës, Milazim Tahirukaj, ka treguar se në periudhën janar-shtator kanë verifikuar 617 monedha si false, ku ka dominuar ajo në vlerë 100 euro, apo 299 herë, pasuar nga 50-shja 144 herë dhe 500-shja në 74 raste.

Sa i përket monedhave, Tahiraukaj ka treguar se kanë verifikuar 9,309 raste – ku prej tyre 7,534 kanë qenë monedha në vlerë 2 euro.

Ai gjithashtu ka treguar se si është më së lehti të vërtetohet se si një para është e falsifikuar.

“Kartëmonedha është e ndërtuar me tiparet e saj siguruese, si brumë është 98 për qind e lagshtë. Ka shenja ujore, fijet sintetike dhe perin e sigurisë. Në dritë transmetuese vërehet shenja ujore dhe peri i sigurisë. Tek to është edhe pjesa integro, apo pjesa gërvishtëse. Këto janë tiparet e parasë origjinale” – ka thënë Tahirukaj në Klan Kosova, duke treguar se nëse ndonjëri prej këtyre tipareve i mungon një kartëmonedhë, atëherë ajo nuk është origjinale.

“Tek monedhat e metalta, ato origjinale kanë veti magnetike. Monedhat false nuk kanë veti magnetike”.

Kurse sa i përket origjinës, Tahirukaj ka theksuar se në tregun kosovar më së shumti para falso hyjnë nga Bullgaria.

“Jemi anëtarë të ekspertëve evropianë si agjenci. Edhe Komisionin Evropian e furnizojmë çdo tre muaj me statistika për qarkullimin e monedhave të falsifikuara. Me verifikimin e klasës, bëhet edhe identifikimi burgimit. Rastet më së shumti janë me origjinë nga Bullgaria, pastaj Italia…”.

“Sa i përket veprimtarive, edhe sipas përshkrimit të policisë, vendet me më potencial për t’u lëshuar paratë falso janë ato ku ka më tepër errësirë, si pompat e derivateve dhe klubet e natës”, është shprehur Tahirukaj.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ka treguar Tahirukaj, se organizon trajnime me bankat komerciale në mënyrë që të lehtësohet verifikimi i parave false./Telegrafi/