Parashikuesi i motit tregon se deri kur do të zgjas temperatura nga Sahara

Ditëve të fundit Kosova është përfshirë me ngritje të larta të temperaturave dhe erëra, por që e premtja e sotme ka regjistruar temperatura rekorde për muajin që jemi.

Këto masa të ajrit, sipas parashikuesve të motit, po dalin të jenë me origjinë nga Afrika Veriore dhe do të zgjasin deri të mërkurën e ardhshme.

Parashikuesi i motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Besim Aliu në një prononcim për KALLXO.com theksoi se qytetet më të nxehta do të jenë Gjakova dhe Gjilani për shkak të specifikave klimatogjike që kanë këto dy qytete.

Sipas tij, temperaturat e këtilla janë të pashëndetshme sidomos për personat që kanë sëmundje kronike.

Aliu rekomandoi që qytetarët të kufizojnë kontaktin me diell nga 10:00 deri në orën 17:00 dhe që gjatë qëndrimit jashtë të vendosin maska.

“Vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore. Në këtë situatë meteorologjike do të mbajë mot i nxehtë dhe me vapë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34gradë Celsius”, theksoi Aliu.

“Po natyrisht se ky mot nuk është i mire. Bile, bile tani është një gjë pozitive që maskat ti mbajmë jo për shkak të pandemisë , por për shkak të cilësisë së ajrit, sepse i atakon shumë të gjitha shtresat e popullatës me theks të veçantë personat me sëmundje kronike. Pastaj kur analizojmë edhe vlerat e indeksit UV të cilat janë tmerrësisht të larta , atëherë kufizimi i kontaktit me diellin do të ishte obligativ për gjithë shtresat, pa marrë parasysh moshën” shtoi parashikuesi i motit.

Sipas tij, pluhuri Saharian do të ndikojë dukshëm edhe në rritjen e vlerave të ndotjes.

“Indeksi UV do të mbetet në vlerat e rrezikut, prandaj këshillohet që nga ora 10-17 mundësisht tē kufizohemi nga kontakti direkt me rrezet e diellit. Pluhuri Saharian i ardhur këto ditë në shumë shtete të Evropës, por edhe te ne, do të ndikoj dukshëm në rritjen e vlerave të ndotjes, sikur të kishim reshje këto ditë efekti i këtij pluhuri do të vërehej në sipërfaqe të qelqit(dritare të automjeteve, gjethe të bimëve dhe sipërfaqe të natyrës së njëjtë)”, u shpreh ai.

Meteorologu deklaroi se sipas parashikimeve do ketë reshje të shiut nga java e ardhshme e që si rrjedhojë thotë se do të ndikojnë edhe në pastrimin e ajrit dhe në rritjen e cilësisë.

“Këto temperatura pos ditës së nesërme të cilat do të ulën minimalisht, do të vazhdojnë deri ditën e mërkurë, ku sipas parashikimeve do të kemi reshje shiu, të cilat pos freskisë që do të ja japin ajrit, reshjet do të ndikojnë edhe në pastrimin e ajrit dhe rritjen e cilësisë. Era do ta mbajë drejtimin e jugut dhe jugperëndimit ,shpejtësia e së cilës parashihet nga 1-1o m/s, në rrafshin e Kosovës , kurse në disa pjesë të Dukagjinit ,konkretisht në pjesën veriore të saj ,shpejtësia e erës do ti kaloj vlerat mbi 20m/s”, ka thënë Aliu.

Në anën tjetër, sot ka reaguar edhe Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, të cilët kanë deklaruar se për shkak të këtij moti, gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja), Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë.

“AMMK sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve aktuale meteorologjike në të cilat ndodhet vendi ynë. Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK, Kosova aktualisht është nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.  Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit”, vijon njoftimi i AMMK-së në rrjetin social “Facebook”.

Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër.

https://kallxo.com/lajm/ererat-e-demshme-te-saharase-perfshijne-edhe-kosoven-sasi-e-madhe-e-pluhuri-ne-ajer/