Foto: REL/Reuters

Parashikohen 7,000 deri në 20,000 vdekje në Britani

Sekretari britanik për Shëndetësi, Matt Hancock, nuk ka përjashtuar mundësinë e ndalimit të stërvitjeve në ambiente të hapura, nëse njerëzit nuk respektojnë masat e distancimit fizik dhe qëndrimit nëpër shtëpi.

“Nëse nuk dëshironi të na shtyni të marrim masa për të ndaluar ushtrimet e të gjitha llojeve jashtë shtëpisë, atëherë duhet të respektoni rregullat”, ka shtuar mes tjerash ai.

Ndërkohë epidemiologu britanik, Neil Ferguson ka thënë për BBC-në se Mbretëria e Bashkuar mund të përballet me 7,000 deri në 20,000 vdekje si pasojë e koronavirusit.

Ai ka thënë se ka “shenja” që masat e izolimit kanë ndihmuar në uljen e shkallës së përhapjes së koronavirusit, duke shtuar se epidemia do të zgjerohet dukshën në 7 deri në 10 ditët e ardhshme.

Ferguson, modeli i të cilit ka udhëzuar Qeverinë britanike që të veprojë kundër coronavirusit, ka thënë: Është tejet e rëndësishme se sa shpejt do të ulen numrat – a do të shohim ngritje të madhe të lakores apo, ashtu si edhe shpresojmë, ulje të shpehtë?

“Kjo varet sesa efektive janë masat aktuale”, ka shtuar mes tjerash ai.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, aktualisht në Britani janë infektuar 42,479 persona të prekur me koronavirusin e ri, ndërkohë që 4,320 të tjerë kanë vdekur./REL