Liqeni i Batllavës - Foto: KALLXO.com

Parashikimi për 5 ditët e ardhshme, nga e mërkura mot i qëndrueshëm

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në pesë ditët e ardhshme pritet të mbajë mot i qëndrueshëm, përjashtuar dy ditët e para të javës, kur parashihen vranësira dhe reshje lokale, duke përfshirë vetëm disa zona.

Nga dita e mërkurë moti do të jetë më i qëndrueshëm, duke krijuar një stabilitet në troposferë, deri në vikend.

Sipas Institutit, sa u përket temperaturave, ato mbesin pothuajse konstante me javën që lamë pas.

Minimalet do të lëvizin ndërmjet 10-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 24-32 gradë Celsius.

Indeksi UV do t’i mbajë vlerat e larta. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe jugperëndimit me shpejtësi 1-8m/s. Sasitë e reshjeve për muajin maj, deri më tani, u regjistruan, 60mm në perëndim të Kosovës, 13mm në lindje, 23mm në qendër, 19mm në jug sa u regjistruan edhe në veri të vendit.

Në disa rajone të Ferizajt dhe Malishevës fatkeqësisht ka pasur edhe reshje breshri, ku efektet negative si zakonisht u shënuan ne fushën e bujqësisë.