Moti - Foto: Rtv21

Parashikimi i motit për 5 ditët e ardhshme: Diell, shi dhe borë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se në 5 ditët e ardhshme në vendin tonë pritet të ketë mot të ndryshueshëm, me diell, shi, erë dhe borë.

Sipas njoftimit, deri ditën e enjte parashihet mot i ndryshueshëm dhe herë-herë me reshje shiu, duke mos përjashtuar edhe intervalet me diell.

“Nga dita e premte vendi ynë do të ndikohet nga masat e ftohta të ajrit të cilat do të krijojnë kushte që gjatë vikendit të sjellin reshje bore ndonëse të intensitetit të dobët, por që parashihet të ketë rënje të theksuar në fushat termike”.

Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve do të lëvizin ndërmjet -3 deri 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 2-14 gradë Celsius.

“Kjo situatë e ndryshueshme meteorologjike do të ndikoj pozitivisht në cilësinë e ajrit. Gjatë vikendit pos reshjeve do të ketë edhe ngrica dhe apelohet që ngasësit e automjeteve të kenë kujdes në rrugë”, thuhet në njoftim.